
Totenhemi ka kërkuar me ngulm prej disa kohësh portierin shqiptar, Thomas Strakosha. Interesimi u shtua gjatë merkatos së dimrit, por pa u konkretizuar asgjë. Paraqitjet pozitive dhe vazhdimësia e lojtarit të Kombëtares, kanë bërë që anglezët të mos heqin dorë.
Së fundmi u raportua se Totenhemi kishte gati 33 milionë euro, për të blerë kartonin e Strakoshës. Por në mënyrë ekskluzive media italiane “Cittaceleste” raporton se presidenti i Lacios, Lotito e ka të qartë: “Strakosha nuk largohet për më pak se 40 milionë euro”.
Një shifër që konsiderohet si e lartë për momentin nga anglezët, që janë të detyruar të tërhiqen. Nga ana tjetër, flitet padyshim për lojtarin e Shqipërisë më të shtrenjtë për momentin, duke përfshirë këtu edhe Elseid Hysajn. /Shqiperia.ch/