You are here
Home > Kombëtarja > Çfarë nuk u dha në TV/ Provokimet e Xhakës me turkun, Berisha përplaset me tifozët

Çfarë nuk u dha në TV/ Provokimet e Xhakës me turkun, Berisha përplaset me tifozët

Kuqezinjtë e humbën ndeshjen ndaj Turqisë me rezultatin 0-2. Kjo ishte prova e parë për djemtë e Panuçit në kualifikueset e Europianit, të cilët pavarësisht se dhanë gjithçka për një rezultat pozitiv, nuk arritën të dilnin me tre pikë, nisur edhe nga gabimet individuale.

Por çfarë nuk u transmetuar në televizor? “Shqiperia.ch” gjendej në stadium në mbrëmjen e djeshme, për të përcjell më nga afër gjithçka ndodh me Kombëtaren tonë.

Momentet pikante

Luhatja e madhe e nervave të Panuçit. Trajneri italian në pjesën e parë ishte i papërmbajtshëm. Gjatë momentit kur Shqipëria pretendon dy penallti të njëpasnjëshme pas rrëzimeve të Balajt dhe Uzunit në zonë, trajneri nuk mund të qëndroj i qetë. Menjëherë shkon të godas me shuplakë pankinën, si për të nxjerrë gjithë energjinë negative. Por kur Turqia shënon golin e dytë, nuk bën më thuajse asnjë veprim. Për minuta të tëra sheh lojën “i ngrirë” në cepin e tij dhe nuk u flet asnjëherë lojtarëve në fushë. Largohet drejt dhomave të zhveshjes pa rënë bilbili.

Taulant Xhaka ka përplasje në distancë me lojtarin e Turqisë. Pasi loja duhej të ndalej gjatë pjesës së dytë me një futbollist që ishte dëmtuar, mesfushori shqiptar ka pasur një përplasje në distancë me një lojtar turk. Ky i fundit e ka provokuar Xhakën me fjalë, pasi lojtari shqiptar nuk e nxorri topin jashtë fushës. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Taulantit, që nëpërmjet shenjave i tregon futbollistit kundërshtar se duhet ta mbyll gojën.

Incidenti i Berishës dhe tifozëve. Pas golit të dytë të pësuar nga Calhanoglu, tifozët shqiptarë nuk janë përmbajtur, duke hedhur edhe sende në fushë. Berisha shkoi menjëherë për të pastruar fushën me urdhër të gjyqtarit, por hasi reagimin e tepruar të disa prej tifozëve. Një shishe godet gardianin e Kombëtares, ndërsa edhe ky i fundit nuk i përmban nervat në atë moment.

Tifozët largohen 10 minuta përpara. Kur u pa se loja ishte e pamundur që të hapej dhe diskutohej për ndonjë pikë të marrë, nis edhe zbrazja e stadiumit. Një pjesë e konsiderueshme e sportdashësve në Shkodër, kanë zgjedhur që të largohen nga stolat e tyre në minutën e 80 të takimit. Mbizotëron zhgënjimi i madh për rezultatin e marrë. Nuk mungojnë edhe koret kundër Panuçit.

Prania e Edi Rejës. Në tribunën VIP të stadiumit të Shkodrës, gjendej edhe ish-trajneri i Atalantës dhe Lacios, Edi Reja. Ende nuk dihen arsyet e kësaj vizite të këtij tekniku, që ndodhej në shoqërinë e menaxherit të njohur shqiptar, Shkumbin Qormemeti. /Rexhino Begolli-Shqiperia.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top