Pas disa rezultateve zhgënjyese në “Ligën e Kombeve”, Panuçi kishte gjithmonë një përgjigje dhe premtim që mbante ndezur zemrat e tifozëve: “Kur të kthehen edhe lojtarët e tjerë, atëherë do të jemi gati. Do e ndezim “zjarrin” që kemi përbrenda”. Tashmë ndodhemi edhe pak javë përpara takimit me Turqinë, atje ku situata i buzëqesh kuqezinjve.
Abrashi jo vetëm që është rikthyer nga dëmtimi pas 11 muajsh, por ka kapur menjëherë formën më të mirë. Sadiku është duke u aktivizuar gjithashtu me Luganon, madje edhe duke gjetur rrugën e rrjetës. Forma e legjionarëve tanë është fantastike, me Keidi Baren dhe Emanuel Ndojin që po i mahnisin klubet e tyre në Spanjë dhe Itali.
Për të vazhduar më tej, Myrto Uzuni e ka kthyer golin në Kroaci në të zakontë, duke shënuar thuajse gjithmonë për Lokomotivën e Zagrebit. Nëse Uzuni po shkëlqen duke shënuar, në këtë shtet ballkanik ndodhet edhe Ardian Ismajli që po vendos rekorde të tjera, pasi me të në fushë është e pamundur t’i shënosh Hajdukut të Splitit.
Çfarë mungon? Ndoshta fakti që Gjimshiti ka marrë për herë të parë besimin e verbër te Atalanta në Serinë A, Aliji që ka lënë pas gjithçka dhe është në lojtarin kryesor të Dinamos së Bukureshtit apo edhe elementet e reja që priten në Kombëtare. Guidara, Durmishaj shihen si dy elemente mjaft të mirë për Shqipërinë, që pritet të jenë prurje të reja në mars.
Më shumë se një gjysmë formacioni është kompletuar, me lojtarë që jo vetëm po luajnë me ekipet e tyre, por janë shndërruar në shtylla kryesore. Nëse më parë mund të kishte edhe me të drejtë ankesa nga Panuçi, se lojtarët e Kombëtares nuk po luanin në ekipet e tyre, tani nuk është momenti. Nëse një zjarr është për t’u ndezur, duhet të bëhet pikërisht tani. /Shqiperia.ch/