
Enea Mihaj është zyrtarizuar te PAOK, atje ku ka firmosur për 4 vitet e ardhshme të karrierës. Mbrojtësi i Kombëtares do të luajë në “Champions League” në sezonin e ardhshëm, me mundësinë e madhe që i erdhi, për t’iu bashkangjitur ekipit kampion të Greqisë.
PAOK dominoi në të gjitha drejtimet në sezonin që lamë pas, duke mos marrë asnjë humbje në kampionat, ndërsa arriti të fitonte edhe Kupën e Greqisë. Por ekipi kampion e dëshmon më së miri kalibrin dhe nivelin tjetër, edhe në mënyrën e organizimit.
Kështu duke parë prezantimin e Mihajt, skuadra greke e ka bërë me regjinë që ngjason me një film fantastik, duke e nisur me një mesazh telefonik që mbërrin te lojtari shqiptar, që duhej t’i bashkohej skuadrës së re dhe të paraqitej në zyrat e saj. Faktikisht kjo nuk është hera e parë që PAOK bën video të tilla, pasi e ka kthyer në praktikë pune dhe sigurisht që janë tërheqesë për syrin e tifozëve. Nga ana tjetër, fjalët e para të Mihajt në prezantim kanë qënë:
“Kur ti arrin që të veshësh këtë fanellë dhe të vjen mundësia për ta mbajtur atë, fjalët janë të panevojshme. Faleminderit për besimin tuaj, puna e madhe fillon”, ka thënë mbrojtësi shqiptar. /Shqiperia.ch/