Kombëtarja e 21-vjeçarëve është vënë në krye të kritikave për shkak se në ndeshjet e shkuara, djemtë e Alban Bushit nuk kanë arritur të fitojnë. Humbja me Turqinë në “Elbasan Arena”, por edhe barazimi me rezultatin 2-2 në transfertën e Andorës, nuk ka zhgënjyer vetëm stafin drejtues të kuqezinjve të vegjël, por edhe sportëdashësit shqiptar. Ishte barazimi në Andora ai që “djeg” më shumë, pasi të gjithë prisnin një rezultat pozitiv përballë një ekipi modest si i Andorës.
Gjithsesi për trajnerin Bushi, faktor që ndikoi në këtë ndeshje zhgënjyese ishte edhe terreni i keq i fushës, pasi duhet theksuar fakti që tapeti i blertë ishte artificial dhe djemtë tanë kuqezi nuk ishin mësuar të luanin në një terren të tillë. Trajneri i Shqipërisë ka folur edhe për Esat Malën, duke vënë në dyshim dëshirën e lojtarit për të luajtur me fanellën e kuqezinjve.
“Natyrisht që rezultati përballë Andoras ishte zhgënjyes dhe për këtë gjë nuk është faji i lojtarëve, pasi djemtë bënë një lojë të kënaqshme. Faji i vetëm që nuk arritëm të fitonim në Andora ishte i terrenit, pasi fusha ishte në një gjendje të mjerueshme dhe futbollistët e mi nuk mundën dot të bënin më shumë për këtë fakt. Mala ka qenë të dëmtuar në gju. Unë do ndjek atë dhe dy tre lojtarë të tjerë këtë javë nëse do të luajnë, pasi me ekipin kombëtar A ose U21 nuk mund të bësh shaka, kur vjen aty duhet të japësh maksimumin. Nëse një lojtarë është i dëmtuar me ekipin kombëtar gjatë ditës së martë e të mërkurë, ndërsa ditën e premte je 100% e tij, atëherë është shumë e vështirë që të jetë përsëri pjesë e kombëtares”, ka thënë Bushi.
I menjëhershëm ka qënë edhe reagimi i menaxheri të lojtarit, Denis Cani, i cili qartëson edhe njëherë dëmtimin që ka pasur Esat Mala. “Gjej rastin të bëj një qëndrim zyrtar në lidhje me deklaratën e fundit të trajnerit të Kombëtares U-21, Alban Bushi, sa i takon lojtarit që unë përfaqësoj, Esat Malën.
Mala ka pësuar një dëmtim një ditë përpara ndeshjes ndaj Andorrës dhe, pas vëzhgimit nga ana e mjekëve të Kombëtares, u përcaktua inflamimi i tendinës së kuatricepsit dhe për arsye objektive, mjekët dhe lojtari vendosën që të mos rrezikojnë me situatën e krijuar.
Esat Mala është një lojtar, i cili e ndjen shumë fanelën e Kombëtares dhe ka këmbëngulur për të përfaqësuar ngjyrat kuqezi pavarësisht se ka pasur opsione të tjera. Askush nuk mund të vëjë në dyshim profesionalizimin e tij dhe ndjenjat e tij. Kombëtarja është gjëja më e shtrenjtë për Malën, por tani jemi të fokusuar tek ëndrra e madhe e quajtur Partizani”, ka thënë Cani. /Shqiperia.ch/