
Adnan Januzaj dhe gjithë historia e këtij futbollisti është rikthyer në qendër të vëmendjes, pasi lojtari i Belgjikës tregoi gjithë patriotizmin e tij me një fotografi. Sigurisht që e gjitha kjo nuk mund të fshinte të gjitha refuzimet që Januzaj i bëri hapur Shqipërisë dhe Kosovës, me një sjellje të paskrupullt që udhëhiqej nga vetë babai i tij, Abedin Januzaj.
Ish-trajneri i Kosovës, Albert Bunjaku ka folur më në detaje për kontaktet që ka pasur me këtë futbollist, ndërsa një ndihmë ia dha edhe ish-ndihmës trajneri i Anglisë, Tord Grip. Të gjithën atë që ndodhi, Bunjaku e tregon me traditën e shqiptarëve për “Gazeta Express”: “Kur nuk të hapet dera, nuk futesh dot nga dritarja”.
“Unë me kryetarin e ndjerë Fadil Vokrri bënim përpjekje që të binim në kontakt me familjarët e tij. Unë përmes mikut tim, po ashtu të ndjerë, Agim Binaku, e kisha siguruar numrin e telefonit të xhaxhallarëve të Adnanit dhe dy herë kam biseduar me ta. E kam pas shprehur interesimin dhe gatishmërinë të takohem me familjarët e Adnanit.
E takimi i parë me Adnanin ishte në një turne në Gjermani, ku unë e kisha dërguar zotri Tord Gripin, ndihmëstrajnerin, t’i vëzhgonte disa lojtarë me origjinë shqiptare. Zotri Grip më telefonoi dhe më tha: ‘Kush është ky Januzaj?’. Adnani ishte vetëm 16-vjeç dhe i kishte rënë shumë në sy. Grip më thoshte: ‘Këtë lojtar duhet ta marrim.
Unë personalisht Adnanin e kam takuar në kalim në zhveshtoret e Manchester Unitedit pas ndeshjes së tij me Arsenalin, ku unë isha mysafir i klubit dhe i ftuar nga miku im, Marcus Svensson, që ishte trajner fizik në Arsenal.
Por, në atë moment nuk kam dashur të bisedojë me të sepse për mua ishte e qartë. Ne shqiptarët e kemi një traditë, që të trokasim në derë dhe nëse t’i nuk e hap derën unë nuk mendoja të hyja për dritare. Thjesht është e kaluar, por unë e kam respektuar dhe e respektoj vendimin e tij. Por, asnjëherë nuk e kam kuptuar sjelljen e tij ngase në fund të fundit është origjina e tij dhe për këtë duhet të jetë krenar që Kosova e dëshironte në gjirin e saj”, ka thënë Bunjaku. /Shqiperia.ch/