
Andi Lila është nga ata lojtarë që nuk lodhen kurrë së vrapuari pas topit, sa herë që ai vesh fanellën e Kombëtares. Mesfushori nga qyteti I Kavajës është një nga lojtarët më të vjetër të Shqipërisë.
Flasim për futbollistin e palodhur dhe pa fjalë, që është nga ata sportistë që sa herë e thërrasin kuqezinjtë, gjithmonë e ka treguar gadishmërinë e tij për t’i shërbyer fanellës. Kujtojmë që në kohën më të mirë të Shqipërisë, gjatë eleminatoreve të europianit “Francë 2016”, Lila ishte një nga lojtarët më të përdorur të De Biazit, që asnjëherë nuk e ka lënë italianin në “baltë”. Mesfushori gjithashtu ka luajtur edhe në nivele të larta, ku ndër to mund të veçojmë skuadrën e Parmës në “Seria A”.
Legjionari kuqezi sa herë që shënonte gol në klubin ku ai luante, festimi i tij pushtonte mediat dhe rrjetet sociale, pasi gjithmonë ishte i njëjtë, me shqiponjë. Situata arrinte deri aty saqë kur luante në Greqi, shpesh herë është akuzuar dhe për sjellje të tepruar. Kjo gjë ndodhte nga grekët që përçmonin festimin e mesfushorit, që gjithsesi nuk është se e ndërronte vendimin e tij. /Shqipëria.ch/