
Etrit Berisha do të largohet nga Atalanta dhe nuk do të ketë mundësinë të shijojë “Champions League”. Të paktën deri tani këto janë gjasat, me portierin e Kombëtares që do të përfundoj te SPAL-i.
Ky është i vetmi ekip i interesuar nga Seria A, për të marrë shërbimet e gardianit shqiptar. Një tjetër arsye që e shtynte Berishën drejt largimit në mediat italiane së fundmi, ishte legjenda Bufon. Ky i fundit është vetëm një hap larg transferimit te Atalanta, pasi u largua nga PSG.
Por sipas medias pranë ekipit të Bergamos, “CalcioAtalanta”, lojtari që ka hyrë në histori me Juventusin nuk është arsyeja e vërtetë e largimit të Berishës, por sepse ka përfunduar si zgjedhje e dytë. “Të thuash se është efekti i Bufonit për këtë largim, është vërtet shpejt. Fakti është se te kjo skuadër po vendosen hierarkitë për sezonin e ardhshëm. Atje Berisha e sheh veten në plan të dytë, pas super sezonit të Golinit. Me ardhjen e Bufonit, ky i fundit do të luante me kohë të pjesshme, ashtu siç e bëri një gjë të tillë te PSG-ja”, shkruhet në median italiane. /Shqiperia.ch/