You are here
Home > Kombëtarja > “Bare punon sikur të mos ekzistojë e nesërmja, Sadiku i shkëlqyer”! Trajneri i Malagës lavdëron lojtarët shqiptarë

“Bare punon sikur të mos ekzistojë e nesërmja, Sadiku i shkëlqyer”! Trajneri i Malagës lavdëron lojtarët shqiptarë

“Sport Ekspres” vazhdon që në këtë periudhë të intervistojë trajnerë të ndryshëm në Europë, që stërvisin lojtarët shqiptarë dhe që janë pjesë e Kombëtares. Në këtë mënyrë marrim edhe vlerësimet direkte prej tyre, duke u përqendruar pikërisht vetëm tek legjionarët tanë, e jo te e gjitha skuadra.

Këtë herë ishte radha e teknikut të Malagas për të folur për median tonë, Sergio Garcia Pellicer. Ky i fundit stërvit mesfushorin Keidi Bare dhe sulmuesin Armando Sadiku. Të dy këta futbollistë janë pika kyçe e ekipit spanjoll, por edhe e shpresës së madhe të Shqipërisë, për t’u kualifikuar në kompeticionet e ardhshme dhe për të përsëritur suksesin e Francës. Sa i përket Bares, vlerësimet kanë qenë më të larta. “Punon sikur të mos e ketë një të nesërme”, është shprehja e përdorur nga trajneri Sergio, që vulos më së miri përkufizimin për “pitbullin tonë”. Ndërsa kur flitet për Sadikun, thuhet se bën një punë të mirë edhe në lojën pa top, për të futur në presion kundërshtarët dhe për të krijuar hapësira për shokët e ekipit.

Përshendetje trajner dhe është kënaqësi t’ju kemi për një media shqiptare. Atëherë Malaga për ne është një skuadër me histori dhe që vendin e saj e ka në elitën e futbollit spanjoll, tek më të mirat. Vitet e fundit ka një rënie, do e shohim sërish këtë klub si dikur?

Atëherë fillimisht ne lumturohemi kur dëgjojmë se në Shqipëri mendojnë se Malaga është një nga ekipet më të mira në Spanjë. Po është e vërtetë që për shumë vite të historisë së klubit ne kemi qenë në elitë. Për shkakun e tifozëve që ne kemi, jemi një nga më të mirat në Spanjë. Tani janë periudhat e tranzicionit në të cilat çdo vit duhet të vendosësh themelet, në mënyrë që pak nga pak të rikthehesh në atë ekip që ishim në vitet e kaluara. Tani le të merremi me realitetin ku ndodhemi, të arrijmë objektivin për të shpëtuar nga rënia dhe më pas për të ëndërruar që të mbërrijmë sërish në nivele të larta. Vetëm në këtë mënyrë do të jemi në gjëndje që të hedhim themelet e një Malaga tërheqëse.

Pas Realit të Madridit dhe Barcelonës, në fakt Malaga po na kthehet ekipi i tretë spanjoll më i pëlqyer në Shqipëri…

Nuk e dija, po e përsëris që për ne është një kompliment që na ndiqni kaq shumë në vendin tuaj. Po e imagjinoj, që sigurisht kjo ka ardhur nga ndikimi i dy lojtarëve tuaj që ndodhen në skuadrën tonë.

Po padyshim, Armando Sadiku dhe Keidi Bare. Sa të rëndësishëm janë për projektin tuaj?

Ata janë dy lojtarë shumë të rëndësishëm për ekipin për shkak të karakteristikave të tyre, përveç kësaj performanca e tyre është shumë e mirë dhe veçanërisht sepse ata kanë një mentalitet fituesi, që garojnë në maksimum dhe këtë gjë e përçojnë edhe në grupin e lojtarëve të tjerë.

Keidi Bare më në veçanti shihet si e ardhmja e Shqipërisë. Është lojtar me shumë kualitete, por mund ta quajmë edhe si “futbollist të vështirë për ta menaxhuar” për nervat në lojë apo jo?

Keidi është një lojtar që çdo trajner do ta dëshironte në ekipin e tij, për shkak të karakteristikave dhe personalitetit të tij. Bare luan sikur të mos e kishte një “nesër”. Është agresiv me dhe pa topin në një sens të mirë të lojës, ndonjëherë ndodh që të shkojë në kufirin e situatës që të merrni edhe ca kartona të tjera, por me kohën dhe me përvojën do rregullohen. Marrëdhënia jonë është e shumë e mirë, flasim gjithmonë dhe shumë e lehtë për mua.

Por nuk do të jenë për shumë kohë me ju. Getafe po përflitet se është afër mesfushorit tonë dhe nga ana tjetër Sadiku duhet të rikthehet nga huazimi te Levante…

Normalisht që do të ketë zëra për lojtarë të mirë, por mendimi ynë është vetëm që të gjithë ne të garantojmë maksimumin tonë. Nuk duam të mendojmë për të ardhmen, sepse na largon nga qëllimi që kemi. Të punosh për të tashmen, për të përmirësuar të ardhmen. Kjo është moto që kemi te Malaga.

E për ta përmbyllur, do të dëshironim një përshkrim të karakteristikave të dy futbollistëve të Shqipërisë që ju i stërvisni, cilat janë ato?

Sadiku është një sulmues me një kapacitet të parë për të punuar edhe pa qenë në kontakt me topin. Taktikisht është i zgjuar dhe kur bëhet fjalë për të bërë presionin e parë, gjithmonë e ndihmon ekipin pa top. Pastaj në pjesën sulmuese e kemi referencë, për lojën në ajër, është dinamik që shokët e ekipit të përfitojnë nga hapësirat që Sadiku lë brenda zonës dhe është një sulmues që përfundon saktë dhe sulmon hapësirat.

Bare është një mesfushor që mund të luajë si një mesfushor mbrojtës, me shumë aftësi për të qenë edhe në zonën e rivalit, për të punuar shumë dhe rikuperuar në mbrojtje. Është dinamik, vazhdimisht furnizon linjat e tjera me pasimet e sakta, ndërsa ne mendojmë se ai mund të luajë si një “8” për shkak të kushteve të tij fizike dhe teknike, për të qenë më agresiv në fushën e rivalit. /Sport Ekspres/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top