
“Është më i mirë se Modriç në moshën 17-vjeçare”, ishte kjo deklarata e Mustedanagiç referuar Keidi Bares. Sigurisht, mediat sportive në vendin tonë që gjejnë shkas për t’u gajasur dhe goditur lehtësisht lojtarë tanë, nuk mund t’u ikte një shans i tillë nga duart. Nga njëra anë flisnim për një lojtar që gjendej në pankinë, e nga ana tjetër një futbollist i klasit botëror.
Material kishte mjaftueshëm, sa për të vendosur në lojë krahasimin e Mustedanagiç, tani shefi i ekipeve zinxhirë të Kombëtares, por më parë trajneri i të rinjëve të Shqipërisë. Mustedanagiç ka punuar me Modriç dhe Baren, ndërsa theksoi faktin se për moshën 17-vjeçare, shqiptari kishte shfaqur aftësi më të mira.
Pavarësisht dyshimeve të mëdha, vlerësime të jashtëzakonshme po vijnë nga Spanja për fierakun. Vetëm 3 ndeshje kanë mjaftuar për të luajtur 90 minuta, ndërsa vetë tifozët janë ata që kanë ngelur gojëhapur me paraqitjet e futbollistit shqiptar. Mjaftonte të kërkoje në “Twitter” menjëherë pas ndeshjes së djeshme, në atë barazim pa gola ndaj Tenerifes. Të gjithë tifozët e Malagas e cilësuan Baren si një lojtar fantastik, ndërsa shprehnin gjithë habinë e tyre sesi një lojtar i tillë është vonuar kaq shumë, për t’iu dhënë hapësira e nevojshme në fushë. /Shqiperia.ch/