
Shqipëria ka humbur me rezultatin 2-0 ndaj Skocisë, në një takim që ka vuajtur nga minuta e parë deri në të fundit.
Shanset për kuqezinjtë kanë qenë të pakta, ndërsa Panuçi ka gabuar me zgjedhjen e tij në formacion. Në ato pak raste të humbura, fusha e lojës ka parë Bekim Balajn si protagonist. Në një intervistë për “Supersport”, futbollisti i Kombëtares, është shprehur se nuk ka pasur ndonjëherë më shumë raste përpara portës kundërshtare me Shqipërinë.
“Herët e tjera nuk i kam pasur shumë mundësitë për të shënuar, sot mu dha mundësia dhe nuk e shfrytëzova. Një ndeshje e luajtur në Skoci, normalisht që do të isha i vetmuar.
Shqipëria gjithmonë ka krijuar pak raste, ne duhet t’i shfrytëzojmë në maksimum ato. Me ekipin Kombëtar nuk e mbaj mend të kem pasur më shumë raste se sot dhe ndiej vërtet keqardhje. Në pjesën e dytë menduam të menaxhonim lojën dhe të ngjiteshim më lartë, për të bërë presion. Trajneri bëri vërejtjet e tij dhe na tha të shohim përpara”, ka thënë Balaj. /Shqipëria.ch/