Në Kosovë është prezantuar projekti i stadiumit të ri, që ka lënë një mbresë të jashtëzakonshme në pamje të parë. Tashmë diskutimi është shtrirë te emërtimi që do të ketë kjo arenë, me tifogrupin “Dardanët” që e kanë hedhur hapin e parë.
Ata do të shkojnë në çdo qytet të Kosovës për të firmosur një peticion, ku do t’i kërkohet organeve drejtuese që emri i stadiumit të jetë “Dardania Arena”. Këtë ide e mbështet më së shumti edhe babai i yllit të Verderit, Milot Rashicës, që shprehet se kjo simbolizon të gjithë Shqiptarinë.
“Një emër që simbolizon rrënjët e të parëve tanë, ku identifikohet e tërë Shqipëria, do të ishte e mirëseardhur. Respekt për shumë dëshmorë, por mjaft me emra të përveçëm. Dardania Arena pa konkurrencë dhe shume zgjedhje e qëlluar”, shkruan Nexhmedin Rashica. /Shqiperia.ch/