
Drejtuesit e klubit të Anderlehtit e morrën vendimin e tyre të pakthyeshëm, trajneri Vanhaezebrouck ka lënë detyrën në mënyrë të menjëhershme. Takimi i humbur në ditën e sotme ka vulosur gjithçka, atje ku klubi i njohur belg humbi në transfertë me rezultatin 2-1 ndaj Cercle Brugge.
Një humbje kjo aspak e rastësishme, në një kohë që Anderlehtit dukej t’i kishte ngelur vetëm emri. Trajneri largohet, ndërsa e vetmja e re në ndeshjen e sotme, ishte debutimi i Kristal Abazajt. Futbollisti shqiptar ka mbajtur veshur për herë të parë fanellën e Anderlehtit në një takim zyrtar, duke lënë pas peripecitë e kaluara së fundmi.
Ndërkohë, në Belgjikë kanë nisur të bëjnë analiza dhe të përshkruajnë gjendjen e Anderlehtit, për të treguar peshën e përgjegjësisë së trajnerit dhe lojtarëve. “Voetbalkrant” nuk e gjen fajtorin te Vanhaezebrouck. Përkundrazi, fajin ia hedh futbollistëve të rinjë e të marrë së fundmi nga ekipi belg, ku përfshihet edhe Abazaj.
“Ka shumë justifikime për trajnerin. U ble keq në merkato. Lojtarët nuk janë të duhurit, nuk ka kualitet mjaftueshëm në pjesën sulmuese, nuk ka lojtarë kreativë, të rinjtë duhet të hanë ende shumë sanduiçë(të rriten)…Largimi i trajnerit u pa që me fytyrën e tij pas ndeshjes, që nisi të vështronte “shiun” që e priste. Një Cobbaut që nuk luajti asnjëherë një ndeshje në nivel, papritmas takohet edhe me Kristal Abazajn, që bën debutimin e tij të parë”, shkruhet në vlerësimin e “Voetbalkrant”. /Shqiperia.ch/