
Nëse fiton gjithmonë, në Shqipëri të shndërrojnë nga Gianni De Biasi, në Gani Abazi. Nëse humbet, atëherë përfundimi është i ditur për të gjithë, ndonjëherë të lënë edhe pa emër.
Rasti i Kristian Panuçit, tekniku ende nuk po e gjen qetësinë te Shqipëria, sa i përket rezultateve, prandaj në këtë rast ende nuk është një menduar një emër më popullor për këtë njeri, duke e quajtur gjithmonë me përbuzje thjeshtë si “italiani” i Shqipërisë.
Pas takimit me Izraelin, sapo kishim nisur të mendonim ato alternativa të para, ndeshja me Skocinë na bëri që t’i fshijmë menjëherë nga memoria dhe të nisim nga sulmet. Kritika duhet të qëndroj gjithmonë dhe kjo as që diskutohet, por duke parë se ku gjendemi.
Altin Lala, në një intervistë për “Shqiperia.ch” pak ditë më parë, shprehej me të drejtë: “Asnjë media nuk flet për minutazhin e futbollistëve që ka Kombëtarja”. Është në interesin e ndokujt kjo? Shihni futbollistët tanë, kampionatet ku luajnë dhe ekipet që aktivizohen. Në prapavijë gjendet Gjimshiti që është kthyer në lojtar pankine te Atalanta, ndërsa Mavraj vjen pas një shkëputje të gjatë nga fusha e blertë. Binaku në krahë është po ashtu një zgjedhje e dytë së fundmi te Malmo, ndërsa Hysaj po kalon jo pak vështirësi te Napoli.
Për të kaluar me mesfushën, ku Migjen Basha dhe Taulant Xhaka e kanë pronën e tyre këtë të fundit. Me të drejtë, sepse janë më të mirët që ka Shqipëria. Lojtar nuk të bën Kombëtarja, por klubi. E për t’iu rikthyer dy emrave të parë, Basha është thuajse gjithmonë një lojtar 45 minutësh te Arisi, teksa konsumohet fizikisht në pjesën më të madhe të rasteve, ndërsa Xhaka është kthyer në lojtar stoli nga trajneri i Bazelit, që nuk ka ndërmend të ndërroj vendimin e tij.
Për krahët e sulmit është e njëjta, Gavazaj e sheh në pjesën më të madhe ekipin e tij nga pankina, ndërsa Grezda vjen po nga një shkëputje e gjatë. E vetmja dritë pozitive, vjen nga Uzuni dhe Manaj, që janë dy nga futbollistët më në formë të Shqipërisë.
Kjo nuk është një kritikë për futbollistët e Shqipërisë, por një pasqyrim për tifozët për të kuptuar gjendjen se ku jemi . Lojtarët janë këta, pa shumë minuta në këmbët e tyre dhe pa emër të madh në arenën ndërkombëtare, por nëse vendoset zemra dhe grinta në fushë, atëherë rezultatet do të vijnë.
Megjithatë, nëse diçka e tillë nuk ndodh, “sopata e madhe” nuk duhet të përdoret menjëherë ndaj trajnerit, pasi në të tillë situatë jemi, nuk mund të pretendojmë çudira. E për të përmbyllur, në jo pak raste mediat marrin rolin e këshilltarit, për t’i treguar zgjedhjet që Panuçi duhet të bëj te Kombëtarja.
“Nëse nuk ke futbollistë me minuta në Europë, merri në Shqipëri”, është ky refreni që përdoret rëndomtë në periudhën e Kombëtares. I pyetur po nga “Shqiperia.ch”, në lidhje me këtë temë, për të kuptuar sadopak ndryshimet mes kampionatit shqiptar dhe atij europian, Altin Lala thotë: “Diferenca? Që nga stërvitja. Kur unë shkova në Gjermani, ngela pa fjalë nga mënyra sesi stërviteshin futbollistët. Të konsumonte fizikisht”.
Trajneri Bogdani i ka besuar në dy takimet e Shqipërisë U-19, një talenti që premton aq shumë te Tirana, Ernest Muçit. Në të dyja takimet, e njëjta histori, Muçi shpërdoron pafund, gabon në disa raste dhe largohet në pjesën e dytë nga fusha. Ky njeri ka ende shumë për të përmirësuar, por e ardhmja e tij konsiderohet e madhe, me të drejtë.
Megjithatë, Kombëtarja nuk e ka luksin e kohës. Për të gjithë ata që drejtojnë gishtin dhe japin mend, herë pas herë edhe në tema që ndoshta nuk i takojnë: “Përse nuk flasin në këtë rast?”. /K.N- Shqiperia.ch/