Shqipëria do të humbiste me rezultatin 0-4 ndaj Skocisë, në një ndeshje në të cilën fituesi nuk u diskutua për asnjë moment të vetëm, pasi kuqezinjtë ishin në një mbrëmje për t’u harruar. Gjërat nuk dukeshin të funksionin në mënyrën e tyre dhe në rrjedhën normale, ndërsa largimi i Mavrajt me të kuq, thjeshtë e mbylli ndeshjen në mënyrë të parakohshme.
Figura e njohur e futbollit dhe sportit në tërësi në Shqipëri, Redi Jupi, e ka analizuar gjerësisht për “Shqipëria.ch” të gjithë gjendjen e Kombëtares. Një vështrim nga njeriu që i ka drejtuar më herët Shpresat e Shqipërisë, për të kuptuar disi se çfarë nuk shkon te kuqezinjtë. Theksi i Jupit? Mos ta harrojmë kush jemi, ende një ekip i vogël edhe përse shkuam njëherë në Europian.
“Ishte një ndeshje e lehtë për t’u komentuar, duke parë rezultatin. U pa qartë diferenca e ekipeve në fushë. E megjithatë është e vështirë ta komentoj, nëse fus këtu edhe aspektin emocional të pasojave që shkakton kjo humbje e rëndë.
Nuk më kujtohet një tjetër humbje si ajo ndaj Skocisë me këto përmasa dhe mënyrën si erdhi. Pamë vetëm një ekip në fushë dhe këtu nuk po flisnim për Portugalinë, Spanjën, Kroacia apo një tjetër e njohur europiane. Por kishim në Shqipëri, Skocinë, një kundërshtar të lehtë në letër, e cila ne na u duk si një bashkim i Brazilit dhe Argjentinës. Na mundi në të gjithë aspektet, teknikisht, taktikisht, psikologjikisht dhe fizikisht, megjithëse kjo e fundit dihej dhe para ndeshjes.
Ajo më la të habitur ishte mënyra sesi u përgatit ndeshja. Unë shikoj një mungesë realizimi në mënyrën sesi u përgatit ndeshja. Të thuash që mund të fitojmë thellë, e ta pësosh kështu, atëherë kjo tregon se ti nuk e njeh rivalin tënd. Kishte një eufori që do e mundim Skocinë? Por si do e bënim këtë gjë? Ata në ndeshjen e parë na mundën lehtësisht.
Ndaj Skocisë ishim shumë pak në lojë në transfertë. Ndoshta pak më tepër se tani pasi luajtëm 11 me 11. Teknikisht na mundën në çdo aspekt atje. Pra në këtë ndeshje duhet të luanim shumë më ndryshe, duhet të ishim më solid në aspektin e mbrojtjes, të prisnim më shumë. Duhet të mendonim me një mesfushë të kompozuar ndryshe, duhet të mendonim me detyra të tjera për lojtarët e krahut. Pra duhet të kishim sa më shumë lojtarë në linjën mbrapa të topit. Ndërkohë që nuk u bë asgjë nga këto, pavarësisht kartonit të kuq.
Kartoni kuq ishte vetëm një element. Është normale që ekip kundërshtar ishte më i përgatitur se ne për ta fituar këtë ndeshje dhe të luash me një lojtar më pak nuk është e lehtë. Por ama edhe pa marrë kartonin e kuq, u duk qartë që ata ishin më të saktë, më të mirëvendosur në fushë dhe më të përgatitur për të marrë maksimumin nga kjo ndeshje.
Edhe në momentin e daljes me karton të kuq, unë nuk jam dakord me zgjedhjen që u bënë në mënyrën se ishte vendosur ekipi në fushë. Ishim me 10 lojtarë, në disavantazh dhe duhet të luanim ndryshe.
Duhet të prisnim që të limitonim dëmet dhe në një moment të caktuar, gjatë zhvillimit të ndeshjes të tentonim të bënim diçka. Nuk kishim asnjë lojtarë në mesfushë me karakteristika mbrojtëse për t’u tërhequr. Për veç Uzunit që e luan disi në fazën defensive, Grezda pothuajse nuk e luan fare lojën në mbrojtje. Pra si mund të luash kundër Skocisë me ata lojtarë dhe me atë vendosje në atë moment? Është e thjeshtë të thuash se Panuçi duhet të iki, pasi ajo duket e sigurtë. Panuçi nuk ka bërë asgjë në drejtimin e Shqipërisë dhe unë këtë e kam thënë edhe më përpara, nuk është një trajner i mirë.
Kombëtarja jonë meriton shumë më tepër se kaq. Problemi nuk është vetëm tek Panuçi, por tek mëndësia, pra ne po humbim në të gjitha ekipet zinxhirë të Kombëtareve. Mesa duket periudha pas Europianit2016 ka qenë dramatike për ne. Ne duhet të kuptojmë një gjë, që e shkuara në Europian ishte një mrekulli. Një përjashtim nga rregulli le të themi. Ne nuk mund ta trajtojmë si një gjë normale dhe të pritet që Shqipëria të shkoj në Europian apo në Botëror vit pas viti.
Ne vazhdojmë të mbetemi ai ekipi i vogël, por mesa duket e kemi harruar këtë gjë. Mungon përzgjedhja e duhur trajnerëve dhe stafit drejtues ndaj kjo nuk na lejohet të gabojmë në të tilla përzgjedhje. Na ngelen shumë gjëra për të bërë përpara. Këto humbje janë humbje dorëzuese nga të cilat nuk mund të gjenden asnjëherë justifikime./Klaudio Ndreca-Shqiperia.ch/