
Një fitore me shumë vlera ishte ajo e Albacetes në ditën e sotme, teksa ia doli me rezultatin 1-0 ndaj Rayo Majadahonda. Goli i fitores ka ardhur nga sulmuesi shqiptar, Rei Manaj. I futur në fushën në minutat e fundit, futbollisti i Kombëtares ka ngritur në peshë 10.000 të pranishmit në stadium, duke sjellë më afër iluzionin e “La Ligas”.
Për momentin Albacete ndodhet në vendin e dytë, ndërsa me pozicionin aktual mund të ngjitet në elitën e futbollit spanjoll. Heroi i takimit të sotëm padyshim që është Manaj, që nxjerr një gol mjaft të bukur me aftësi individuale dhe i jep tre pikë të rëndësishme ekipit të tij.
Trajneri i shqiptarit, Ramis është ndalur gjatë te kjo periudhë që po kalon me skuadrën, ndërsa nuk ka harruar edhe emocionet e marra nga ana e sulmuesit të Shqipërisë, por edhe përjetimin e tifozëve.
“Ka ende më shumë se 70 pikë në lojë, ndërsa me rëndësi është që jemi të qetë për momentin. Kemi bërë një performancë fantastike në kampionat, e tani duhet të vazhdojmë të ëndërrojmë. Duhet të zgjojmë emocionet, ashtu siç na ndodhi edhe në golin e sotëm me Manajn. Vetëm duke parë mënyrën sesi qyteti e ndien takimin, ne perforcohemi shumë. Njerëzit na ndalin në rrugë dhe na shprehin emocionet e tyre.
Kjo na bën edhe më shumë përgjegjës, për të bërë mirë në fushën e lojës. Ka qenë një sezon me mjaft emocione. Jemi bashkë për të mirën dhe për të keqen.Tani është koha të shkëputemi nga puna e përditshme. Të shkëputemi për pak dhe të rikthehemi me vazhdimësinë tonë. E nisim vitin me tre rivalë shumë të vështirë, por nuk përbën problem, sepse do të rikthehemi me të njëjtën dëshirë”, u shpreh Gomis. /Shqiperia.ch/