
Akhmat Grozny ka barazuar pa gola në transfertë kundër Amkar, ndërkohë që nga minuta e parë në fushën e blertë ishte sulmuesin Bekim Balaj. Shkodrani u mundua shumë që të gjente rrugën e rrjetës, por nuk ia doli dot. Sulmuesi nuk luajti deri në fund të takimit, pasi në të 60’ në vend të tij u aktivizua Ivanov. Katër minuta më pas në fushë zbriti edhe Bernar Berisha, por rezultati deri në fund mbeti 0-0.
Odise Roshi nuk ishte në dispozicion të stafit teknik në këtë ndeshje të fundit në kampionatin rus për këtë sezon. Por si ka qenë ecuria e lojtarëve shqiptarë me Akhmat, që e mbylli kampionatin në vendin e nëntë me 39 pikë?
BEKIM BALAJ – Nuk i kish ndodhur asnjëherë ta mbyllte sezonin pa gol në kampionat. Një dëmtim e ka lënë jashtë fushave të blerta shkodranin për një kohë relativisht të gjatë, por së fundmi u rikthye, por pa mundur të shënojë.
Gjatë këtij kampionati Balaj ka luajtur vetëm 13 ndeshje, prej tyre 7 i ka nisur nga minuta e parë. Sulmuesi 27-vjeçar është nën kontratë me Akhmat Grozny edhe për sezonin e e ardhshëm.
ODISE ROSHI – Fieraku është nën kontratë deri më 30 qershor të vitit 2019 dhe ritmi i tij ka qenë i përafërt me të sezonit të shkuar.
Mesfushori anësor ka zbritur në fushë në 20 ndeshje dhe stafi teknik e ka preferuar 13 herë si titullar. Me golin nuk është se i ka pasur raportet e mira dhe të vetmin e ka realizuar para pak ditëve. Në krahasim me vjet, minutazhin e ka pasur më të lartë.
BERNARD BERISHA – në sezonin e parë me Akhmat, mesfushori i Kosovës luajti vetëm 8 takime (3 në formacion), kurse sivjet hapësirat për 26-vjeçarin kanë qenë më të mëdha. Autori i një goli në kampionat, ka luajtur në 22 ndeshje, më shumë se Balaj e Roshi, ndërkohë që 13 ndeshje i ka nisur nga minuta e parë. Për të kontrata përfundon më 30 qershor të vitit 2020. Në Rusi për herë të parë ai ishte pjesë e Anzhi, që e shiti më pas për 2.5 milionë euro. /EDS