
Sa shumë kritika për Elseid Hysajn gjatë kohëve të fundit për Napolin. Kjo jo për shkak të nivelit të treguar nga ana e mbrojtësit shqiptar në mbrojtje, por duke marrë parasysh ndihmesën e tij në fazën offensive.
Në futbollin modern kërkohet që mbrojtësi t e krahut të marrin shpeshherë edhe iniciativën sulmuese, për t’i ardhur në ndihmë futbollistëve me karakter ofensiv, e për të krijuar raste të rrezikshme me topat e hedhura në zonën kundërshtare. Në këtë anë, Hysaj çalon së tepërmi. Zëvendësuesi i futbollistit shqiptar ndaj Parmës, Malcuit, u vlerësua maksimalisht në mediat italiane.
Pikërisht, ajo që i mungonte Hysajt gjendej te Malcuit, mbrojtësi i djathtë me natyrë më sulmuese. Ulja e Hysajt në stol në takimin e mesjavës ishte vetëm për të ruajtur energjitë e tij, pasi në fundjavë Napoli do të përballet me Juventusin. Megjithatë, duke parë paraqitjen e Malcuit, Hysaj duhet të ketë një marsh më shumë tashmë sepse e rrezikon jo pak vendin e tij.
Ndërsa këtu nuk duhet të lëmë pa përmendur edhe një prej vlerësimeve të mediave italiane në drejtim të Malcuit: “Çfarë surprize e bukur. Krosat e tij të hedhura në zonë na kujtojnë Kafun”, shkruhet në përshkrimin e “Pianetazzurro”. /Shqipëria.ch/