
Ka mënyra e mënyra sesi një futbollist mund të marrë dhe përjetojë ftesën e parë nga Kombëtarja e tij. Ajo e Egli Kajës ndoshta nuk ishte më e mira më e mundshme. Në një intervistë për “Dailyrecord”, risia e listës së tetorit nga trajneri Panuçi, ka rrëfyer momentin kur morri vesh se ishte një prej lojtarëve të grumbulluar nga kuqezinjtë.
Agjenti i tij i kishte bërë një shaka disi të hidhur, duke i thënë se Panuçi nuk e vlerësonte për cilësitë e tij, derisa pas disa sekondash, është njohur edhe me ftesën e ardhur nga Shqipëria.
“Isha duke gatuar në kuzhinë dhe agjenti më telefonon. Ai më tha mua se trajneri i Shqipërisë, më kishte vështruar dhe nuk i kisha pëlqyer, nuk më vlerësonte.
Nuk kisha më motivim për të vazhduar të mbaroja ushqimin e përgatitur, ndërsa pas një pushimi të vogël, agjenti nisi të qeshte. Ai më tha se Panuçi më kishte ftuar për dy ndeshjet e Kombëtares. Isha shumë i emocionuar. Faktikisht unë kam pasur një bisedë edhe me trajnerin e U-21, por ai më ka thënë se nuk duhej që të luaja në ato nivele, por të shkoja menjëherë te Kombëtarja e parë”, ka thënë Egli Kaja. /Shqiperia.ch/