
PO, tani mediat sportive shqiptare mund të riaktivizohen dhe të kujtohen se një futbollist me emrin Kristal Abazaj ndodhet në Belgjikë dhe dalëngadalë po rikthehet në vendin që i takon. Atëherë kur futbollisti kishte nevojë për një dorë mbështetje, për shkak të momentit të keq që po kalonte, askush nuk ia dha.
Por një lojtar i tillë është mësuar se për të shkuar sa më larg, fillimisht duhet të mësohesh për të luftuar i vetëm. Këtë gjë sulmuesi shqiptar e ka bërë prej kohësh dhe po vazhdon të punojë, për t’u rikthyer në nivelet më të larta. Në takimin që rezervat e Anderlehtit kanë zhvilluar në ditën e sotme, Abazaj ka luajtur për 75 minuta, duke qenë vendimtar në golin e vetëm të takimit të shënuar nga ekipi i tij ndaj Lokeren, në atë barazim me rezultatin 1-1.
Kristali do të jepte pasën e fundit për autorin e golit, Dewaele, që e dërgoi topin e rrjetë duke marrë avantazhin e përkohshëm për skuadrën e Anderlehtit. Më parë thuhej që Abazajn nuk e llogariste as ekipi i dytë, tashmë me rikthimin nga periudha e dëmtimit, futbollisti shqiptar jo vetëm që llogaritet, por di të lërë edhe gjurmën e tij.
Gjithashtu ajo që ishte për t’u vlerësuar në takimin e sotëm, padyshim që mund të quhet shpejtësia e Kristalit, që bëri diferencën nga pjesa tjetër e skuadrës. E ashtu siç ndodh rëndomtë në Shqipëri, të gjithë do të luftojnë për të treguar sesa i mirë është ky futbollist, ndërsa askush nuk e mbështeti në momentin që kishte më tepër nevojë.
Atëherë ia nisim asaj lojës së shëmtuar dhe tipike shqiptare? Kush do të krenohet i pari me Abazajn, ndërsa nuk i dhamë një dorë kur kishte nevojë për ne?/Shqiperia.ch/