Në mbrëmjen e djeshme “Sport Ekspres” ishte media e parë shqiptare që raportoi lajmin se Endri Çekiçi po kërkohej nga ana e Arsenalit. Ky ishte lajmi që qarkullonte prej një dite në mediat sllovene dhe që bëri bujë në Shqipëri menjëherë.
Sulmuesi shqiptar ishte i ftuar në “Fan Zone”, ku ka reaguar shkurtimisht edhe për këto zëra. I buzëqeshur teksa fliste, Çekiçi i ka cilësuar si zëra për momentin sa i përket këtij interesimi, por duke mos pranuar që ta përgënjeshtroj një gjë të tillë. Pra lexohej një “pohim i heshtur”.
“Stërvitjen e vazhdojmë në çdo ditë dhe duhet të jemi të përgatitur. Edhe unë personalisht mendoj se ky është sezoni im më i mirë personal dhe jam më i pjekur për shkak të minutave që kam patur. Arsenali? Kam folur me menaxherin, janë vetëm zëra tani për tani dhe unë jam vetëm pak më i informuar se juve (qesh).
Jam i fokusuar te Olimpija tani dhe në verë të bëj një lëvizje tjetër për karrierën time. Kombëtarja e Shqipërisë? Besoj se shumë shpejt do të jem edhe pjesë e saj”, tha Çekiçi.