Panuçi do të vazhdojë të jetë pjesë e kombëtares shqiptares dhe ky është një kapitull i mbyllur. Tekniku italian ka besimin e Federatës edhe për kualifikueset e Europianit 2020, ndërsa të gjithë duhet të bëhemi bashkë për të arritur objektivin.
Por nëse kërkojmë një trajner shqiptarë për të ardhmen, duhet të ndalemi vetëm në dy emra: “Skënder Gega dhe Ilir Daja”. Ky i fundit e tregoi më së miri me Skënderbeun se çfarë ishte i aftë të bënte. Nuk po flasim vetëm për rezultate, por edhe për lojën e prodhuar. Në sezonin e shkuar, korçarët luanin si të barabartë ndaj kundërshtarëve të nivelit të lartë, si Young Boys apo Dinamo e Kievit.
Zakonisht filozofia e lojës së teknikëve shqiptarë është e thjeshtë kur topi qarkullon në mbrojtje: “Largojeni sa të mundeni”. Por kjo “skemë” nuk është pjesë e filozofisë së Dajës, që kërkon gjithmonë qarkullimin e topit sa më të madh.
I duhur do të ishte për Kombëtaren, ndërsa një tjetër emër që do e meritonte këtë post, është edhe Skënder Gega. Me Partizanin po i tregon më së miri aftësitë e tij, ndërsa të kuqtë janë duke e kryesuar kampionatin shqiptar. Ndaj Tiranës ka fituar derbin e dytë në ditën e sotme, ndërsa me lëvizjet e bëra në formacion, e tregon sërish nuhatjen e madhe që ka dhe vendimet e drejta, për të marrë maksimumin nga një takim delikat.
Një tjetër avantazh i Skënder Gegës, është se më parë ka qenë pjesë e Shqipërisë U-21. Thuajse të gjithë lojtarët premtues dhe ata që luajnë sot me Shqipërinë, kanë punuar pikësëpari edhe me Gegën. Kjo është politika e suksesshme që ndjekin gjithë vëndet e Europës, për të arritur rezultate sa më të mira.
E kush më mirë sesa trajneri i të rinjëve, mund të ngrejë ekipin e parë? Inzagi është një prej rasteve që e dëshmon më së miri, teksa nga i panjohur që ishte kur drejtonte të rinjtë e Lacios, tashmë është kthyer nga më të mirët në botë, me rezultatet që po merr me ekipin e parë. Skënder Gega dhe Ilir Daja, nëse duhet dy trajnerë shqiptarë, ndoshta nuk duhet të shkojmë dhe aq shumë larg me patjetër… /Shqiperia.ch/