Ekipi i futbollit të Prishtinës ka paditur në gjykatën e Arbitrazhit, një çështje që lidhet me akuzat kundrejt disa klubeve shqiptare. Arsyeja për këtë padi është se klubet nga Superioria (emrat e të cilave nuk bëhen të ditura), kanë fituar shuma të mëdha parash nëpërmjet shitjeve të lojtarëve të Prishtinës.
Lajmin e ka konfirmuar kryetari i Prishtinës për sportin në “KTV”, Remzi Ejupi, i cili shprehet se klubet shqiptare i kanë shumë borxhe Prishtinës. Ai nuk bënë me dije emrat e klubeve të cilat janë paditur në gjykatën e Arbitrazhit, por thekson se është i zhgënjyer nga sjellja jo korrekte e këtyre ekipeve.
Gjithashtu Ejupi vë në dukje se nga klubi bardheblu janë transferuar shumë lojtarë cilësor, që më pas janë shitur në klube të mëdha europiane dhe klubi i kryeqytetit të Kosovës nuk ka marrë asnjë përqindje për transferimet përkatëse.
Me rregulloren e FIFA –s është përcaktuar që 5% e transferimit të futbollistit t’I takojnë klubit ose klubeve ku lojtari është rritur. /Rexhino Begolli- Shqipëria.ch/