Nëse fati nuk do të ishte kundër tyre, atëherë do të flisnim për listën e Lacios në “Champions League”, por ajo humbje dramatike dhe e pamerituar ndaj Interit në ndeshjen e fundit, bëri që ekipi kryeqytetas të mjaftohet me “Europa League”.
Në ditën e sotme, italianët kanë publikuar listën e lojtarëve që do të kenë mundësinë të luajnë në Europë dhe në të, do të gjenden jo pak, por 3 futbollistë me origjinë shqiptare, njërin prej të cilëve e kemi edhe në Kombëtare.
Thomas Strakosha, Valon Berisha dhe Riza Durmishi do të jenë futbollistët e gatshëm që do të kenë minutat e tyre në këtë kompeticion të rëndësishëm. Për dy futbollistët e parë nuk kishte asnjë dyshim, por për Riza Durmishin, askush nuk mund të fliste me siguri që lacialët do e merrnin në Europë. Gjithsesi, kjo është lista dhe Lacio është gati për “luftë” me armaturën shqiptare. /Shqipëria.ch/