Sezoni fantastik i Lacios nuk u “kurorëzua” me kualifikimin në Ligën e Kampionëve, por çmimet që vazhdojnë të marrin lojtarët e drejtuesit tregojnë sa pozitiv ka qenë ky kampionat për bardhekaltrit.
Të martën e kaluar ishte radha e Çiro Imobiles, dje e Igli Tares: drejtuesi sportiv shqiptar ka fituar mirënjohjen “Football Leader” si zbuluesi më i mirë i vitit dhe dje, prezent në ceremoninë dorëzimit të çmimeve, për “Mediaset Premium” e “Sky Sport”, dha këto deklarata: “Imobile? kam dëgjuar shumë variante lidhur me të ardhmen e tij, unë di të them se ai ndihet mirë në Romë. Milinkoviç-Saviç? Klubi nuk e ka nxjerrë në shitje”. Duke u ndalur, me një koment të shkurtër, te Lacio-Inter (sfida e humbur 2-3 nga lacialët në javën e fundit të kampionatit): “Po lëpijmë akoma plagët…”.
/Panoramasport