Toni Domgjoni është një nga të rinjtë që sivjet ka debutuar në elitën e futbollit zviceran. I lindur më 4 shtator 1998 në Koprivnica, por me origjinë shqiptare, mesfushori zotëron pasaportën kroate dhe zvicerane, ndërkohë që luan edhe për Zvicrën U19. Tashmë për 19-vjeçarin ka ardhur edhe kontrata e parë si profesionist me klubin e Zurich. Këtë sezon ai ka luajtur në 12 ndeshje si titullar me ekipin e parë dhe ka bindur me cilësitë e tij, çka ka bërë që ta “blindojnë” me një kontratë 3-vjeçare.
Sot ka ardhur edhe zyrtarizimi, teksa Zurich shkruan: “Toni Domgjoni nënshkroi kontratën e parë profesionale. Kontrata e mesfushorit vazhdon deri në qershor të vitit 2021. 19-vjeçari, shtetas i dyfishtë zvicerano-kroat, ka luajtur në klubin e qytetit që nga viti 2009 dhe ka përfunduar një pjesë të madhe të trajnimit të tij në Akademinë e FC Zurich. Për ekipin e parë të FCZ, Domgjoni është përdorur deri më tani në 12 ndeshje në kampionat, ku ai ka mundur të shënojë një gol dhe të japë një asist. FC Zurich është i kënaqur që bën pjesë të ekipit të parë një nga lojtarët e të rinjve dhe e përgëzon Toni Domgjonin për kontratën e tij profesionale dhe i dëshiron atij çdo sukses”.
Domgjoni nuk është i vetmi futbollist shqiptar te skuadra e Zurich, pasi edhe mbrojtësit Lindrit Kamberi (18 vjeç), Albion Sadriaj (20 vjeç) dhe Enit Sadiku (19 vjeç), si dhe Lavdrim Rexhepi (20 vjeç), janë pjesë e skuadrës zvicerane.
Toni Domgjoni në momentin e hedhjes së firmës në kontratë
/EDS