Klubi i Anderlecht pritet të emërojë si trajner ish-mbrojtësin e Bayern Munchen, francezin Willy Sagnol.
Lajmi raportohet nga “Bild”, prestigjiozja gjermane që ka treguar në të kaluarën se, rrallëherë gabon, për të mos thënë fare.
41-vjeçari është aktualisht pjesë e stafit të Bayern Munchen, edhe pse ish-trajneri Carlo Ancelotti u largua para disa muajsh.
Sagnol ishte zëvendësi i Ancelottit te Bayern, por pas shkarkimit të tij dhe ardhjes së Heynckes, Sagnol mbeti në stafin e bavarezëve.
Francezi 41-vjeçar, një emër i madh si futbollist në të shkuarën, shihet si zëvendësuesi ideal i trajnerit Hein Vanhaezebrouck, i cili nuk arriti të fitonte titullin me Anderlecht në Belgjikë këtë sezon.
Ndërkohë që, sezonin e ardhshëm, te Anderlecht do të luajë edhe Kristal Abazaj. Sulmuesi i Luftëtarit ka firmosur me klubin belg dhe me shumë mundësi do të stërvitet nga Sagnol.
41-vjeçari francez njihet për aftësinë e tij të lartë për të menaxhuar talentet. Si drejtor teknik i ekipeve të moshave të Francës, nga viti 2011 deri në 2013, Sagnol ka meritën për zbulimin dhe afirmimin e futbollistëve si: Antoine Griezmann (Atletico Madrid), Kylian Mbappé (PSG), Ousmane Dembele (Barcellona), Anthony Martial (Manchester United), Corentin Tolisso (Bayern) e Kingsley Coman (Bayern).
Francezi ka qenë trajner edhe te Bordeaux (2014-2016).
Sagnol flet katër gjuhë: Frengjisht, Anglisht, Gjermanisht, Spanjisht.
41-vjeçari njihet si një person shumë i komunikueshëm, por edhe shumë strikt dhe i përkushtuar në punën e tij.
Nëse Anderlecht mbyll me sukses tratativat për të ulur në stol Willy Sagnol, kjo do të ishte një lëvizje që padiskutim do të ndikojë edhe në karrierën e Kristal Abazaj, sepse do të ishte në urdhrat e një “mjeshtëri talentesh”, duke nisur nga sezoni i ardhshëm./Andi TANKU/Vipsport.al/