Një moment nervozizmi i ka kushtuar shumë shtrenjtë Arda Turan, i cili nuk e ka mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin e tij të parë pas rikthimit në Turqi te skuadra e Bashakshehir.
Futbollisti është pezulluar sot për 16 ndeshje nga Komisioni Disiplinor i Federatës Turke, për gjestet e tij në ndeshjen e fundit ndaj Sivaspor në kampionat.
Turan shtyu vijërojtësin në shenjë nervozizmi pasi ky i fundit nuk sinjalizoi një faull që kishte ndodhur pak hapa larg tij. Për këtë ai, u ndëshkua menjëherë me një karton të kuq, Por ish-futbollisti i Atletiko Madrid dhe Barcelonës, nuk u ndal aty, pasi edhe shau e pastaj kërcënoi gjyqtarin ndërsa po dilte nga fusha e lojës, gjë që ka përkeqësuar situatën.
Sipas vendimit të argumentuar, Federata ka dhënë 10 javë dënim për shtyrjen, 3 për fyerjet ndaj gjyqtarit dhe 3 për kërcënimet që lëshoi duke dalë nga fusha e lojës. Sigurisht, kjo nuk ishte mënyra se si e kishte menduar Turan kthimin te skuadra e qytetit të Stambollit që merr emrin nga lagjja ku ai është rritur. /vipsport.al/