You are here
Home > Futboll Bota > Tipike shqiptare/ “Të fryrë” pas një Europiani, quajmë dështim eliminimin nga…vendi futbollit

Tipike shqiptare/ “Të fryrë” pas një Europiani, quajmë dështim eliminimin nga…vendi futbollit

Tipike, një “sëmundje shqiptare” dhe një nga ato sjelljet që çfarëdo masash që ne të mundohemi të marrim për t’i ndërruar apo tjetërsuar, nuk mundet të ndryshojmë dot asgjë, pasi janë pjesë e qënies tonë.

Kështu, pasi arritëm për herë të parë në histori të kualifikoheshim në Europianin e Francës, tashmë futbollistët e Kombëtares janë nën presionin e përsëritjes të së njëjtës histori. Deri këtu është gjithçka në rregull, pasi kërkesa e llogarisë duhet të ekzistojë në të tilla nivele, shumë madje.

Por ajo që nuk qëndron, është mënyra sesi ne e konsiderojmë mos arritjen në vendin e parë në “Ligën e Kombeve”, si një dështim total. Shumë kritika dhe akuza drejt Panuçit sa i përket mungesës së rezultateve në grup, ndërkohë që kemi përballje mes “të pabarabartëve”. Niveli i kuqezinjve është ngritur shumë në vitet e fundit dhe kjo është dëshmi konkrete, por fillimisht duhet të shohim se kë kemi përballë.

Skocia dhe Izraeli janë dy pjesëmarrëse që e njohin Botërorin dhe Europianin, shumë herë më tepër sesa Shqipëria. E sidomos Skocia, të paktën në grupin tonë, miqtë mund të mburren me futbollin e luajtur, e me shumë të drejtë madje. Si mund të konsiderohet një dëshim, nëse ata na lanë pas vetes në grupin e “Ligës së Kombeve”? Dëshira dhe realiteti janë gjëra të ndryshme, ashtu si edhe profesionalizmi dhe pjesa e tifozerisë, apo interesi dhe e vërteta. Në të treja rastet, kemi histori të ndryshme, po në Shqipëri i ngatërrojnë dhe ndërlidhin pak gjërat vend e pavend.

E për të qenë akoma më konkretë në trajtimin tonë. Doni të dini se kush ka qenë ndeshja më ndjekur në Europë për ditën e shtunë? Në Skoci ishte, duke lënë pas vetes gjithë kryesfidat që luheshin në Europë, si ato në Angli, Spanjë, Francë, Itali apo gjetkë. Në takimin mes Celtic dhe Hibernian, janë rregjistruar 58.452 spektatorë që e kanë ndjekur më nga afër atë 90 minutësh të zhvilluar.

E në Shqipëri, pavarësisht ngritjes që ka pasur futbolli në vitet e fundit, 58.452 është një numër që nuk arrihet edhe nëse marrim të gjitha stadiumet bashkë, me kapacitetet që ata ofrojnë për njerëzit. Ndërsa në Skoci, një numër i tillë arrihet vetëm në një ndeshje me tifozë të pranishëm, në një stadium, për 90 minuta.

Dëshira për të bërë mrekulli është gjithmonë e madhe e ndonjëherë edhe vetë mrekullia realizohet vetëm në sajë të dëshirës së madhe. Por jo gjithmonë kështu, nuk mund të biem përtokë dhe ta konsiderojmë dështim nëse ndodh në këtë mënyrë. Jemi thjeshtë “të fryrë” përpara një Europiani të arritur, ndërsa kundërshtarët kanë marrë shumë herë më shumë se ne, e nuk e kanë përjetuar situatën negative që kanë kaluar në një mënyrë të tillë, siç bëhet në Shqipëri.

Qielli mund të hapet e të jap dhurata vetëm nëpër ”filma”, realiteti është komplet një histori tjetër. Por nëse në Skoci ka një numër të tillë njerëzish që kanë kulturën e sportit për të ndjekur më nga afër një takim, pavarësisht se klubi i tyre nuk ndodhet në momentin më të mirë, atëherë përpara se të fryhemi përpara kundërshtarit tonë dhe të mundohemi t’i tregohemi muskujt e sapoformuar? Ndoshta fillimisht, duhet t’i marrim disa leksione prej tyre, pastaj të masim forcat e të flasim për fajtorët. Shqipëria është një realitet i vogël, e që po përpiqet për t’u bërë i madh. Nga ana tjetër, Skocia është vetë realiteti i madh. E kuptoni ndryshimin mes nesh? Po këtu, sërish Panuçi na e ka fajin? /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top