You are here
Home > Futbolli Shqiptar > Televizioni ia ndërpret transmetimin, Halili: Po na bëni formacionin dhe po na ngulni thikën

Televizioni ia ndërpret transmetimin, Halili: Po na bëni formacionin dhe po na ngulni thikën

Klubi i Tiranës ka njoftuar shkarkimin e trajnerit Ze Maria në ditën e sotme, teksa krahas trajnerit brazilian, ishte i pranishëm edhe presidenti i Tiranës, Refik Halili.

Ky i fundit ka shpërthyer në deklaratat e tij, duke akuzuar mediat dhe ambientin sportiv, se janë këta të fundit ata që i bëjnë klubit formacionin. Por duke premtuar se historia do të ndryshojë në takimet e ardhshme. “Të ngulni thikën nga të gjitha anët”, kështu shprehet Halili, ndërsa televizioni “Supersport” ndërpret transmetimin e konferencës për shtyp:

“Jemi mësuar keq në Shqipëri. Kur rrimë urtë, na e fusin thikën nga të katërta anët. Ndërsa ata që kërcënojnë, askush nuk guxon të flasi kundër tyre. Ne kemi ndenjur urtë dhe çfarë nuk është shkruar për ne.

Deri tani nuk kam ndërhyrë për formacionin, por historia mbyllet tani. Nga sot e tutje nuk ka më, pa më dhënë formacionin mua trajneri, nuk vendoset në fushën e lojës. Jemi mësuar që trajneri të bën formacionin së bashku me një gazetar dhe ne mendojmë se jemi mirë.

E kam prekur me gishtat e mi këtë gjë, e kam ndierë, nuk po flas kot. Nuk e them as për Ze Marian, ka ndodhur më parë. Nuk po flas për ndërhyrje direkte që unë do të bëj në formacion, por më duhet të shoh se cilët lojtarë janë hedhur në fushë.

Ju e sulmoni Tiranën për mënyrën e organizmit, kur ne kemi 10.000 veta në stadium dhe nuk ka një gërvishje të vogël. Deri dje ishte një grop e zezë, ndërsa sot nëpërmjet një investimi tim, ju uleni dhe së bashku me mua si zotërinj, duke parë një ndeshje. Përse nuk e përmendni pjesën e investimit? Nuk ka nevojë të flasim për shifra, por ju gjithmonë vetëm sulmoni dhe këtë gjë e harroni sa herë bëhet fjalë për Tiranën, që nuk është në gjendje.

Te “Procesi Sportiv” thonë se Tirana nuk e ngre zërin asnjëherë. Po Sinemati që e ka ngritur shpeshherë zërin, çfarë frytesh ka fituar?”, u shpreh Refik Halili, ndërsa transmetimi është ndërprerë nga televizioni “Supersport”, megjithëse konferenca nuk kishte përfunduar ende. /Shqiperia.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top