You are here
Home > Kombëtarja > Të rritesh në heshtje dhe kalime brenda 2 viteve, një shembull si Myrto Uzuni që luajë në La Liga

Të rritesh në heshtje dhe kalime brenda 2 viteve, një shembull si Myrto Uzuni që luajë në La Liga

Në Shqipërinë tonë të vogël, ka jo pak modele për t’u marrë shembull, por fatkeqësisht nuk janë në qendër të vëmendjes. Në fakt këtu gjithmonë mbështeten dhe u jepet jehonë njerëzve të gabuar, që nuk kanë se çfarë mesazhi të japin me jetën dhe karrierën e tyre.

Një lojtar i Kombëtares që ka shumë për të duartrokitur, është padyshim Myrto Uzuni. Rikthehemi pak pas në kohë, kur ky futbollist stërvitej me Tomorin. Mes shumë sakrificave dhe vështirësive të mëdha, e shihte Superioren si ëndrrën më të madhe për t’u realizuar.

Me punën e palodhur dhe oraret e zgjatura duke mbetur në fushë, më shumë se të tjerët, e pa se kjo ishte e vetmja rrugë për t’ia dalë mbanë. Nga kalimi te Apolonia dhe më pas te Laçi, atje ku do të bënte edhe hapin e madh.

Thuhet se në jetë duhet të ndërthuret puna, vullneti, por edhe fati. Për këtë të fundit, njeriu që do t’i jepte një dorë Uzunit do të ishte Besnik Prenga. Asokohe si trajner i përkohshëm i Laçit, menjëherë sapo pa aftësitë e sulmuesit në fjalë, Prenga nuk kishte dyshime: “Ky njeri meriton më shumë”.

Kështu do të vinte edhe kalimi te Lokomotiva e Zagrebit, ku menjëherë do të gjente vendin e titullarit. Deri në atë moment gjenim pak shkrime për këtë futbollist dhe jehonë mediatike të munguar, pasi kryefaqet e lajmeve i zinin të tjerë lojtarë.

Duheshin disa gola dhe pasime vendimtare, për të kuptuar se diku në Kroaci po bënte jehonë një prodhim i Superiores. Kështu mediat nisën që të kthenin vëmendjen e tyre nga Uzuni, që gjithçka arriti që ta fitonte me punën e madhe.

Por edhe pas kalimit në Zagreb, asnjëherë nuk kishte postime të këtij lojtari në rrjetet sociale për jetën luksoze, por vetëm nga fusha e lojës. Duke e ditur fare mirë se prej nga vinte, e gjithë detyra për t’u përmbushur ishte vetëm që të ulte kokën dhe pas disa vitesh, të ndihej krenar me arritjen e tij.

Duket se kjo ditë nuk do të jetë shumë e largët, pasi tani ka 2 ekipe të La Liga-s që kanë bërë ofertë zyrtare për Uzunin te Lokomotiva e Zagrebit. Këtë herë “dashuria e stisur” do të rritet në mënyrë të menjëhershme, por vetë lojtari është i ndërgjegjshëm që duhet të punojë po aq shumë sa më parë, për të mos prekur kurrë momentin e keq, pasi atëherë do ta gjejë pranë vetes ashtu si edhe në fillimet e tij, vetëm me përkrahjen e njerëzve më të dashur. Të rritesh mes heshtjes, modele ka, por jehona nuk u jepet… /Sport Ekspres/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top