You are here
Home > Kombëtarja > Shqipëria e varur nga Sadiku-Roshi, Panuçi pa plan B (FOTO)

Shqipëria e varur nga Sadiku-Roshi, Panuçi pa plan B (FOTO)

Armando Sadiku dhe Odise Roshi kanë qenë lojtarët më efektivë dhe produktivë të Shqipërisë në ndeshjet e fundit. Diçka që mund të konsiderohet si lajm i mirë për dy futbollistët, por jo aq për trajnerin Kristian Panuçi. Arsyeja? Sepse Kombëtarja shqiptare është e varur nga performancat e dy lojtarëve të mësipërm dhe në momentin që ata nuk janë mirë, atëherë diçka e tillë vihet re në fushën e lojës.

Sadiku Roshi

Nga një vëzhgim i bërë nga “Panorama Sport” ku analizohen 8 ndeshjet e fundit, në 5 prej tyre kanë qenë pikërisht Sadiku dhe Roshi që kanë shënuar dhe kanë dhënë asiste, duke ndihmuar kuqezinjtë për të marrë pikë dhe për të arritur rezultate pozitive. Në tri ndeshje ku ata mungonin (kartonë, dëmtime, zgjedhje teknike), apo nuk ishin në ditën e tyre më të mirë, Shqipëria mori 3 humbje.

Dy prej tyre mund të jenë deri diku të justifikueshme me Italinë dhe Spanjën. Ndërsa ajo e fundit me Norvegjinë ishte si një kambanë alarmi për trajnerin kuqezi, i cili duhet të mendojë për një plan B për t’i fituar ndeshjet edhe kur Sadiku nuk shënon dhe kur Roshi nuk jep asiste.

Sadiku dhe Roshi

STATISTIKAT

Në 5 ndeshje, nga 8 të fundit dy lojtarët e mësipërm kanë qenë protagonistë kryesorë dhe sa herë ata janë në ditë të mirë, Shqipëria merr rezultat pozitiv (me përjashtim të miqësores me Luksemburgun). Armando Sadiku në këto 5 ndeshje ka arritur të shënojë 4 gola.

8 ndeshjet

Dy dopieta në sfidën me Turqinë dhe me Izraelin (në atë kohë ekipin e drejtonte De Biazi). Odise Roshi gjithashtu ka pasur periudhën më të artë që nga fillimi i aventurës me Kombëtaren. Tre gola (Maqedoni, Lihtenshtejn, Luksemburg) dhe tre asiste për Armando Sadikun. Praktikisht gjithçka e kanë bërë këta dy futbollistë, duke pasur një peshë të rëndësishme në ecurinë e Kombëtares.

ALTERNATIVA

Trajneri Panuçi duhet të mendojë një plan B për ndeshjet zyrtare të Ligës së Kombeve. Nëse Sadikut dhe Roshit nuk iu “xhirojnë” gomat, atëherë duhet që lojtarë të tjerë si Grezda, Cikalleshi, Balaj, por edhe ndonjë lojtar nga mesfusha me nuhatje goli duhet të japë kontribut që skuadra të marrë rezultate.

Pse jo, ndryshimi i skemës me 2 sulmues të deklaruar mund të jetë një tjetër alternativë që ndeshjet e Kombëtares t’i zgjidhin edhe lojtarë të tjerë, jo vetëm Sadiku me Roshin. Një “ushtrim” që kërkon zgjidhje shumë shpejt nga trajneri Panuçi, pasi ndeshjet po afrojnë…

GENTJAN ALINANI /Panoramasport

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top