You are here
Home > Kombëtarja > Notat e Shqipërisë/ Çfarë ishte duke bërë Amir Abrashi? Odise Roshi na rikthen fytyrën

Notat e Shqipërisë/ Çfarë ishte duke bërë Amir Abrashi? Odise Roshi na rikthen fytyrën

Këto janë notat e publikuara nga “Shqiperia.ch” sa i përket ndeshjes Shqipëri-Moldavi e mbyllur në rezultatin 2-0 me golat e Sokol Cikalleshit dhe Ylber Ramadanit.

Etrit Berisha(pa notë): “Thuajse një spektator gjatë gjithë takimit. Në ato pak raste të Moldavisë që ishin të rrezikshme në portën e Shqipërisë, nuk është dashur asnjëherë ndërhyrja e portierit të Atalantës për të evituar golin.

Ardian Ismajli(5.5)- Një tjetër paraqitje pozitive e mbrojtësit të Hajdukut të Splitit. Në duele është i pakalueshëm, por duhej të ishte më i saktë me pasimet e tij. Detyrën e bën mirë dhe nuk e lë punën deri te portieri.

Mërgim Mavraj(5.5)- Ka eksperiencën e duhur për të gjetur qetësinë në prapavijë. Shpeshherë provon të shtyjë Kombëtaren përpara me topa të gjatë.

Frederik Veseli(5)- Ndeshje e mirë e Veselit, por nuk është Moldavia kundërshtari i duhur për të dhënë vlerësime. Ndonjëherë ka pasiguri në disa duele kur kundërshtari kërkon të marrë krahun dhe krosimet e rrezikshme vijnë nga andej.

Ergys Kaçe(5)- Nuk ishte dita e mesfushorit shqiptar. Trajneri Reja i ulëret në fundin e pjesës së parë që të luajë me zemër. I vonon disi pasimet kyçe dhe me krosimet ka disa gabime. Të gjithë presin më shumë nga Kaçe që ne njohim!

Ylber Ramadani(6.5)- Surpriza e mbrëmjes! Pak e prisnin se Ramadani mund të ishte në fushën e lojës, e jo më për të shënuar. Loja e tij vjen në ngritje dhe gati për të ndihmuar Kombëtaren atëherë kur na duhet më shumë. Si një qershi mbi tortë, vjen kryevepra nga distanca.

Amir Abrashi(7)- Çfarë ishte duke bërë ky lojtar? “Pitbull” ndaj Islandës duke shpenzuar pafundësisht energji, i njëjtë edhe ndaj Moldavisë. Vetëm lodhje që nuk kishte. Gjendet kudo dhe si një luftëtar i vërtetë në fushë. Më i miri i kësaj Shqipërie!

Ermir Lenjani(5)- Në skemën e re nuk po përshtatet në mënyrën më të mirë. Mungojnë shpërthimet në krahë dhe topat e rrezikshëm të futura në zonë. Trajneri e largon për t’i dhënë një tjetër rrjedhë lojës.

Elseid Hysaj(5)- I njëjti problem! E mban topin pafundësisht dhe e tepron. Nuk ka shënuar ende asnjë gol në karrierën e tij te Napoli apo me Kombëtaren, por provon më kot nga distanca kur rezultati ishte 0-0 në pjesën e dytë. E tepërt!

Myrto Uzuni(6.5)- Nuk e ndryshon mënyrën e lojës nga minuta e parë e deri te e 90-ta. Gjithmonë i rrezikshëm me futjen drejt zonës, por edhe me pasimet për shokët e skuadrës. Pasim fantastik për Roshin, atje ku vjen edhe goli i parë. Në fund merr vlerësimet e merituara nga trajneri.

Armando Sadiku(4.5)- Zhgënjimi i mbrëmjes! Vetëm një gjuajtje nga distanca që vë në provë portierin e Moldavisë dhe pjesa tjetër e gjitha për t’u harruar.

Odise Roshi(6)- Futet në pjesën e dytë dhe i jep Shqipërisë atë që mungonte, driblimin. Në krahë ishte i papërmbajtshëm dhe në një nga inkursionet e tij, Kombëtarja gjen golin e qetësisë. Roshi, ku ishe më parë?

Sokol Cikalleshi(5.5)- Notë paksa e ulët duke marrë parasysh minutat e pakëta që kishte në fushë. Njeriu vendimtar dhe që i hapi rrugën e fitores Shqipërisë. Thyen mallkimin me golin e shënuar në një ndeshje zyrtare, megjithëse e kishte të thjeshtë pas punës së mrekullueshme të Roshi. /Shqiperia.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top