You are here
Home > Kombëtarja > Lorik Cana, klithma e një legjende që thërret për bashkimin kombëtar

Lorik Cana, klithma e një legjende që thërret për bashkimin kombëtar

Lorik Cana është kapiteni, lideri, idhulli, legjenda dhe krenaria e shqipëtareve kudo ku ata jetojnë nëpër botë. Ky është lojtari që personifikon emrin Shqipëri dhe një nga të vetmit lojtarë shqipëtarë që njihej nga të huajt jashtë vendit tonë përpara shumë vitesh.

E teksa tani që lajmet për eksodin e famshëm të lojtarëve shqiptarë të Kosovës drejt ksaj të fundit sa vijnë e shtohen, duhet të kthejmë pak kokën nga historia e karriera e këtij kapiteni kaq frymëzues për ne shqipëtarët.

Është historia e një adoleshenti i cili mes shumë vështirësive ia doli, por duke humbur aq shumë shokë rrugës pikërisht sepse mbrojtën emrin e këtij vendi dhe këtë flamur kuqezi.

Është historia e një kapiteni i cili në fillim bëri ato nazet e veta prej adoleshenti për të ardhur në kombëtare, pasi donte të luante vetëm për kombëtaren A të Shqipërisë. Natyrisht një lojtarë që kërkohej nga Franca e Zvicra këto pretendime i kishte mëse legjitime.

Siç thekson dhe vetë Loriku, dashuria për këtë kombëtare i lindi që në femijëri teksa në shtëpinë e tij mblidheshin të afërm e familjarë për të ndjekur ndeshjet e kombëtares. Lorik Cana arrin në histori teksa kryen transferimin e parë me shirit kapiteni që ndodhte në Europë nga Marseja tek Sunderlandi i Premier Leagues së famshme.

Është ai kapiteni që pas një triumfi në Qemal Stafa ngriti peshë zemrat e tifozave teksa merr një megafon dhe thërret si një ultras: ”Nuk ndrrohet kombësia , nuk shitet Shqiptaria”.

Një shprehje që më pas do të bëhej shumë popullore për tifozat kuq e zi nëpër stadiume.

Kjo është historia e një njeriu që refuzoi një ofertë nga një klub si Olimpiakosi që për shumëkënd mund të ishte ëndërr vetëm sepse ishte ekip grek: ”Më falni, me gjithë respektin tim të madh për klubin tuaj të mirënjohur, unë si kapiten i Shqipërisë e di që nuk të kem mbështetjen e ambjentit përreth prandaj nuk mund të vi”, ishte kjo përgjigja e Lorikut ndaj klubit grek të Olimpiakos pas ata e kërkuan.

Është historia e një kapiteni i cili qan si një fëmijë në emisionin e gazetares, Sonila Meco, për bashkimin e trojeve tona dhe shokëve të rënë gjatë luftës për Kosovën.

Është historia e një kapiteni që në Beograd kur të gjithë e kishin mendjen sesi të mbroheshin nga 35.000 tifozët e stadiumit dhe të punojsëve të stadiumit e sigurisë që kishin harruar detyrën e tyre, Loriku mendon të mbroj simbolin kombëtar dhe shokët e ekipit, teksa lufton si boksier në fushën e lojës duke e kthyer atë në një arenë dyluftimi.

Kjo është historia fatkeqe e atij njeriu që luftoi për një jetë të gjithë për këtë ditë përfaqësimi në Europian dhe fati i mohon të drejtën e pjesmarrjes në të me vetëm 35 minuta loje.

I përlotur në kualifikimin historik ndaj Armenisë dhe po kaq i përlotur kur kapiteni braktisi anijen ndaj Zvicrës pas daljes me të kuq. Ndaj Francës kamera e fokusonte shumë herë teksa dukej se vendi nuk e mbante në shkallën e stadiumit dhe ishte gati të hidhej që aty nëse mundej për të qenë bashkë me ekipin e tij.

Në ndeshjen që do të rezultonte dhe si e fundit zyrtare për të ndaj Rumanisë , Loriku na dha dhe nje leksion të fundit për të gjithë ata lojtarë të kombëtares të mërzitur nga stoli apo mosgrumbullimi.

I ulur në pankinë pa bërë asnjë fjalë apo gjest, çohet në minutën e 80 për të bërë nxehmjen me një përkushtim të tillë që e bënte të dukej si një lojtar i ri që kërkonte debutimin me Kombëtaren, hyn në fushë në minutën e 85 dhe në fund feston me gjithë shpirt bashkë me ekipin pa asnjë hatërmbetje. Kjo është klithma e një legjende dhe të rinjtë e Kombëtares duhet ta dëgjojnë atë… /Shqipëria.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top