You are here
Home > Boks > Intervista/ Vranishti i historisë, Shehaj: Në venat e mia rrjedh gjak i burrave të hekurt

Intervista/ Vranishti i historisë, Shehaj: Në venat e mia rrjedh gjak i burrave të hekurt

Të nisësh gjithçka nga zero dhe të arrish në maja të larta. Kjo është historia e Edi Shehaj, luftëtarit nga Vranishti i Vlorës, që falë punës dhe përkushtimit të palodhshëm, sot mban në brezin e tij shumë tituj kampion në sportin e vështirë të kickbox-it. Rruga deri këtu nuk ka qenë aspak e lehtë, por luftëtari vlonjat nuk është ndalur për asnjë moment dhe ka vazhduar gjithnjë përpara. Në një intervistë për “Shqipëria.ch”, Shehaj është rrëfyer gjerë e gjatë për rrugëtimin e tij në këtë sport, çfarë e motivon më tepër dhe për përkrahjen e familjes dhe trajnerit të tij, të cilin e cilëson si një nga faktorët më të rëndësishëm në arritjet e tij profesionale.

Je me origjinë nga Vranishti i Vlorës, vend ky i cili shquhet në historinë e popullit shqiptar për trimërinë që i karakterizon. A e cilëson veten si “ Luftëtarin” e ri të Vranishtit, të kohëve moderne, pra nëpërmjet sportit?

Të krahasohesh me trimat si Sali Murati apo siç e njohin të gjithë, Sali Vranishti, të cilët kanë luftuar me trup e zemër dhe kanë dhënë jetën për këtë komb është diçka e jashtëzakonshme, do ishte një nder i madh padyshim. Por, mund të them që ndihem me të vërtet shumë krenar që jam nga ai vend dhe në venat e mia rrjedh gjaku i këtyre burrave të hekurt.

Sa të motivon ky fakt, pra sa të motivon origjina jote, për të arritur majat dhe për t’u përmendur në skenat më të njohura botërore?

Vendi yne mbart mbi supe një histori mjaft të pasur dhe motivuese, me një dimension të madh dhe jehonë më të fuqishme se sa përmasat e shtrirjes së tij gjeografike. Atdhedashuria lind pikërisht aty, në vendlindje, për të marrë më pas përmasa kombëtare dhe veçanërisht të jesh nga Vranishti do të thotë se ke lindur me ndjenjën e krenarisë dhe dashurinë për vendin. Kur ngjitem në ring me flamurin shqiptar mbi supe, që më kujton çdo sekondë se nga vij, gjaku vlon dyfish.

Për sa i përket vështirësisë gjatë këtij rrugëtimi, si ka qenë historia jote?

E kam nisur këtë sport në vitin 2011 në palestrën “Fight Club Vlora”,  e cila sapo ishte hapur asokohe. Nisi në fillim si një mënyrë argëtimi e nxitur nga mamaja, për tu kthyer më vonë në një profesion, jo vetëm falë talentit dhe punës sime, por padyshim falë mbështetjes, punës, pasionit, përkushtimit dhe mundësive që më ka ofruar trajneri im, Alban Alikaj, të cilit i jam mirënjohës për këtë që jam sot.

Pas fitoreve të njëpasnjëshme në rang kombëtar, m’u dha mundësia të garoj në kampionate ndërkombëtare , europiane, botërore. Tashmë jam mbajtës i shumë titujve si: Kampion Shqipërie 2013-2014-2015; Kampion Bote Amator Iska 2014-2015; Kampion Ballkani Iska 2015; Kampion Europe SPF 2016; Kampion Bote WKU 2018

Rruga për të arritur deri këtu nuk ka qenë aspak e lehtë. Përkrahje ekonomike nga institucione shtetërore nuk ka pasur në asnjë moment, por falë punës sime, mbështetjes së familjes, miqve dhe siç e thashë edhe më parë, falë mbështetjes së pakushtëzuar të trajnerit tim Alban Alikaj, gjithçka u bë e mundur për t’ia dalë me sukses deri më sot.

Ke mbërritur në Zvicër dhe në vitin 2018 je shpallur Kampion Bote  ËKU. E ke besuar arritjen e këtij triumfi?

Patjetër që po. Kam punuar fort për t’ia arritur asaj dite. Është e vërtetë që rruga ka qenë shumë e vështirë dhe vazhdon të jetë e tillë derisa të arrij aty ku dua, por ama me shumë punë, me besim te vetja dhe me mbështjen e duhur nuk ka arsye përse të mos besoja tek ai triumf.

Cili është objektivi më madhor i juaji? Një ëndërr e cila shpesh herë të bën të mos zgjohesh lehtë nga gjumi.

Ëndrrat nuk kanë fund, por ajo më e madhja padyshim që është të arrij në majat e këtij sporti, të garoj në eventet më të rëndësishme të sportit të kickbox-it në botë. Sa më shumë punon, sa më shumë arrin, aq më tepër kërkon të arrish. E mira s’ka fund. Pse jo, duke qenë se shumë shpejt kickbox-i do të jetë një sport Olimpik, patjetër që garimi në “Lojrat Olimpike” do të ishte qershia mbi tortë.

Dashuri e madhe për Shqipërinë. Sa shumë i ndjen këto ngjyra dhe sa shumë të japin fuqi në ring?

Për shqiptarët nuk ka simbol më të shenjtë se flamuri. Flamuri mishëron e pasqyron shpirtin e pastër, karakterin e fortë dhe vlerat e larta morale e njerëzore, nderin e kombit tonë. Është ky flamur që i mban së bashku të gjithë shqiptarët dhe të gjitha trojet tona.

Kjo është forca magjike e padukshme e flamurit tonë! Këtë forcë e kam ndjerë, e kam përjetuar kur e mbaj mbi supe në ring. Emocioni, adrenalina, motivimi kur sheh dhjetra flamuj që valëviten rreth e përqark ringut është i papërshkrueshëm dhe nuk ka lekë, euro, dollarë…që ta paguajë!

Zakonisht luftëtarët e arenës kanë gjithmonë një mënyrë motivimi. Dikush me histori personale, dikush për një njeri të dashur, apo edhe më banalja, duke dëgjuar muzikë motivuese përpara daljes për dyluftim. Po Edi, si motivohet përpara një dueli?

Pas gjithë punës, lodhjes, orëve të gjata në palestër, dietave të forta, dhimbjeve fizike, ngarkesës psikologjike, motorri i motivimit është vetëm ngjitja në ring dhe përjetimi i atyre emocioneve të forta, të jashtëzakonshme, të papërshkrueshme dhe padyshim kënaqësia, lumturia që ndjen, emocioni dhe krenaria në sytë e trajnerit, njerëzve të dashur, atyre që më ndjekin, kur ia del ta kurorëzosh ndeshjen me fitore.

Çfarë motivimi mund të kërkoj tjetër?!

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top