You are here
Home > Kombëtarja > “Hyp se të vrava, zdryp se të vrava”! Sa mirë që (s)kemi Ansi Agollin te Shqipëria

“Hyp se të vrava, zdryp se të vrava”! Sa mirë që (s)kemi Ansi Agollin te Shqipëria

Ne shqiptarët, ndryshe nga pjesa tjetër e njerëzve që na rrethon, jemi paksa më të komplikuar për t’u kuptuar. Thuajse në të gjitha rastet kemi kontestime për vendimet e të tjerëve, për të dhënë një version tonin. Madje edhe atje ku jo vetëm që është e panevojshme, por është kompetenca dhe detyra e një tjetër personi për ta kryer.

Kështu, nëse duam një temë te Kombëtarja për t’u kapur fortë pas saj dhe për të diskutuar për muaj e muaj më rradhë, është padyshim çështja e Ansi Agollit. Polemikat dhe diskutimet që hapen për këtë temë, ndonjëherë të bëjnë edhe të qeshësh me veten: “Në rregull pra, mjaft. U teprua tani”.

Të njëjtët njerëz i shohim në ekrane të ndryshme, të njëjtat emra lexojmë nëpër gazeta duke shkruar gjëra të ndryshme e duke hedhur poshtë veten e tyre, brenda një kohe të shkurtër. Kur Ansi Agolli luante me Shqipërinë dhe ishte një titullar i padiskutueshëm, kritikat dhe pikëpyetjet e para ishin të natyrës: “Si e kërkoni Europianin me lojtar si Agolli”?

Më pas vjen një moment i tillë, ku trajneri i Shqipërisë, pa pasur asnjë rëndësi emri i tij, kushdo qoftë, vendos të largojë mbrojtësin kryeqytetas dhe në mënyrë qesharake, vijnë reagimet e para: “Si kërkojnë të luajnë te Shqipëria pa Agollin”?

Një shprehje vjetër thotë: “Hyp se të vrava, zdryp se të vrava”. Kjo është kryefjala e shumë personave në Shqipëri, në çdo fushë të jetës, e këtu nuk mund të përjashtohet as sporti. Për të dalë kundër politikave të një personi të caktuar, shpeshherë kapemi edhe me detaje që na kthejnë në qesharak përpara publikut.

Agolli është padyshim një mbrojtës me vlera të mëdha për Shqipërinë, nga ata njerëz që e ka dhënë pa kursyer kontributin e tij për kuqezinjtë. Por vetë jeta të mëson se të gjitha gjërat në këtë botë, janë të përkohshme. Koha e këtij futbollisti për të luajtur me Kombëtaren, ndoshta po i vinte fundi dhe Panuçi e ndërmorri një vendim, që shumë të tjerë mund ta bënin një gjë të tillë.

Megjithatë, përpara se të kritikojmë të tjerët, është e mira që të ndajmë me veten tonë qëndrimet që duhet të mbrojmë, pastaj të shesim tek të tjerët atë që mendojmë. Është problem kjo në Shqipëri. A do e ndajmë mendjen ndonjëherë se çfarë duam vërtet? /K.N- Shqipëria.ch/

Postime të tjera

Leave a Reply

Top