You are here
Home > Historia e Lojtareve > EKSKLUZIVE/ Historia e Abazajt: Vështrimi i nënës më ndryshoi jetën, në Shqipëri më hodhën në rrugë

EKSKLUZIVE/ Historia e Abazajt: Vështrimi i nënës më ndryshoi jetën, në Shqipëri më hodhën në rrugë

Sa herë që bëhej fjalë për rrëmujë në familjen time, gjithmonë shkaktari do të isha unë, Kristali që në shtëpi nuk linte gjë pa thyer. Nostagjike kur i rikthehem, por nuk mund të anashkaloj fëmijërinë mes aq shumë kujtimesh të paharrueshme.

Në lagje njihesha si një fëmija më grindavec që gjendej aty rrotull. Nëse dy gurë nuk ishin bashkë, një pjesë e madhe e meritës ishte edhe e imja. Megjithatë pavarësisht natyrës sime të vështirë, në shkollë arrita të ambjentohesha shumë lehtë. Kjo jo për shkak të zotësisë apo ndonjë ndryshimi të hershëm që pësova unë, por falë vëllait tim, Krenarit.

Ai gjendej në të njëjtën klasë me mua dhe më ndihmoj shumë që unë të vija në rrugën e drejtë, por mbi të gjitha, që mendja ime të mos punonte vetëm për ato lojrat e tepruara fëmijnore. Ora e vetme që unë kisha aq shumë qejf në shkollë? Eh sigurisht, fiskultura. Gjithmonë e kam pasur pasion futbollin, që në moshë më të vogël. Por atëherë kohën time e zinin ngjarje që ishin shumë më të rëndësishme për fëmijët.

Më kujtohen fare mirë ato lëniet orëve të mësimit, bashkë me shoqet dhe shokët  e klasës. Për disa momente na dukej sikur kishim pushtuar botën. Prindërit na dënonin gjithmonë, por në të nesërmen ishim përsëri gati për të përsëritur këtë veprim. Tani mblidhemi dhe qeshim pafund me këto kujtime.

Momenti kulminant që më lidhi mua me futbollin i përket vitit 2004-2005. Si çdo fëmijë tjetër isha duke luajtur poshtë pallatit. Mamaja ime ishte duke më vështruar një ditë më vëmendje nga  dritarja dhe atje pa një lëvizje të bukur që unë bëra ndaj shokëve të lagjes.

Ajo thërret menjëherë babain dhe i kërkon që unë të futem në stërvitje. Babai doli kundër fillimisht, duke u shprehur se unë isha ende i vogël për të menduar futbollin, por duhet të fokusohesha te shkolla. Megjithatë ky refuzim nuk zgjati shumë, teksa një ditë babai më pyeti nëse dëshiroja të shkoja në stërvitje.

 

Pa e menduar dy herë shkova të rregjistrohesha te Dinamo me të vegjlit dhe trajnerin e parë kisha Bashkim Deliun, e mbaj mend si sot. Megjithatë njeriu që më ka mbështetur fuqimisht në hapat e parë, ishte padyshim mamaja ime. Sa herë që unë dilja të luaja me top te kompleksi Dinamo, ajo rrinte ulur më shumë se 3-4 orë për të më parë nga afër.

Gjatë asaj kohe atje stërvitej dhe ekipi i parë i Dinamos. Mua më ishte kthyer në rutinë, pasi mbyllja mësimin, dilja duke marrë edhe topin me vete te kompleksi Dinamo dhe shkoja të shihja ata futbollistë duke u stërvitur.

Gjithmonë mendoja me vete: ”A do të vijë ndonjëherë ajo ditë që edhe unë të stërvitem me ekipin e parë të Dinamos?”.  Pasi qëndroja i ulur te stolat dhe prisja fundin e stërvitjes së tyre, filloja të luaja përsëri me topin që kisha marrë me vete.

 

Teksa rritesha, fillova të kuptoja shumë gjëra, ndoshta dhe nga ato që do të ishte më mirë të mos i dija kurrë. Kjo sepse gjatë karrierës time në Shqipëri më janë bërë shumë padrejtësi. Më kanë përplasur derën në fytyrë pa ndierë kurrëfarë keqardhje.

Thellë-thellë brenda vetes ndieja se aty kishte mbaruar gjithcka. E dija që nuk e meritoja këtë gjë. Mbështetjen e familjes e kam pasur gjithmonë, por ndonjëherë kam qenë edhe i vetëm në ndjekje të ëndrrës. Besoja shumë te vetja ime që do ia dalë dhe ja ku jam tani, duke luajtur për një nga ekipet më të njohura në Belgjikë.

Një ditë e imja rutinë kur isha i vogël ishte e thjeshtë, pas shkollës shkoja te kompleksi Dinamo, atje ku qendroja duke u stërvitur derisa të perëndonte dielli. Frikë? Asnjëherë nuk kam pasur sepse i dija aftësitë e mia. Megjithatë e vetmja frikë që mund të ndieja ishte nga padrejtësia që mund të më bënin, pasi kishte ndodhur më parë, duke më hedhur në rrugë.

Sa i përket momenteve më të vështira, ishin padyshim ndeshjet e para në Superligë. Kisha presion të madh nga persona të ndryshëm që prisnin mundësinë e parë për të më kryqëzuar. Ndërsa fanellën e parë me emrin tim në shpatull e kam mbajtur te U-17, atje ku kam luajtur me Dinamon. Normalisht që isha shumë i lumtur pasi më është dukur vetja si futbollist profesionist.

Elbasani më dha shkëndijën  e parë për njeriun që unë mund të bëhesha, me në krye Muharrem Dostin, një njeri që besoj tek aftësitë e mia dhe më dha mundësi t’i shpalos ato. Nga aty erdhi edhe kalimi te Luftëtari. Pjesa e mbetur ngelet histori.

Atje preka perfeksionin dhe arrita ato gjëra të cilat nuk i kisha imagjinuar kurrë më parë. Shokët e skuadrës që kam pasur në skuadër në Gjirokastër më kanë ndihmuar jashtëzakonisht. Sigurisht që nuk kam për të harruar edhe momentet gazmore që kam kaluar aty, përvec sukseseve që kanë qenë të shumta. Kishim fatin të kishim në skuadër një njeri si Liçaj, që na argëtonte gjithmonë me shakatë e tij.

Për të arritur te firma me Anderleht, që ishte një nga gjërat më të bukura dhe veçanta të karrierës sime. Në familje kanë gëzuar shumë kur e kanë marrë vesh aventurën time të re. Personi i parë që e ka marrë vesh lajmin, ishte babai. Lumturia që ai ka ndierë në ato momente, më pas edhe pjesa tjetër e familjes, nuk mund të shpjegohet me fjalë.

Bëhej fjalë për ekipin më të mirë në Belgjikë dhe me histori të madhe në futbollin europian dhe kjo nuk ishte pak. Pasi shkova për të bërë testet mjekësore te Anderlehti, trajneri më kërkoi menjëherë në zyrën e tij. Folëm gjatë, teksa ai më shpjegoi qartësisht se cfarë kërkonte nga mua në fushën e lojës dhe për cfarë i duhesha. Tani në Bruksel një ditë e zakonshme e imja është stërvitje, shtëpi dhe një kafe me shoqërinë ose familjen.

Më duhet të them se brenda një kohe të shkurtër më janë realizuar shumë ëndrra,

pasi kam bërë debutimin edhe me kombëtaren shqiptare. Ftesa e parë që morra nga Panuci ishte realizimi i një ëndrre që unë e kisha që kur isha fëmijë. E prisja në atë moment, pasi isha duke kaluar një formë fantastike.

Por kisha një ankth të madh se ndoshta emocionet do të më pengonin të jepja më të mirën time, ashtu sic edhe ndodhi disi në ditët e para. Ne shqiptarët e kemi në gjak që nuk dorëzohemi kollaj, ndërsa cilësia më e keqe, është që nuk shquhemi shumë për korrektësi.

 

Dua që në fund t’i jap një mesazh të fortë të gjithë të rinjve që kanë ëndrra dhe shpresa për veten e tyre, të vazhdojnë të punojnë, pasi pavarësisht dështimeve dhe rënieve që mund të pësojnë gjatë rrugës, do të vij dita që do të tregojnë aftësitë e tyre.

 

Sinqerisht, Kristal Abazaj

 

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top