You are here
Home > Kryefaqja > E ka stërvitur te Teuta, Begeja: Muriqi ishte “gjigant”, shkova menjëherë te presidenti

E ka stërvitur te Teuta, Begeja: Muriqi ishte “gjigant”, shkova menjëherë te presidenti

Vedat Muriqi është sulmuesi shqiptar i momentit që po kalon një formë të jashtëzakonshme. Në verën e këtij viti u transferua te Fenerbaçe dhe menjëherë i besohet statusi i titullarit. Besimin e shpërblen në mënyrën më të mirë, duke realizuar 2 gola në 3 ndeshjet e para. Rikthehet me Kosovën dhe bën të njëjtën gjë, realizon në ndeshjen delikate ndaj Çekisë.

E sikur të mos mbaronte këtu, Muriqi shquhet edhe për kilometrat e shumta që përshkruan, duke ardhur në prapavijë për të ndihmuar shokët e skuadrës. Vlen të theksohet se më parë ky futbollist është paraqitur te Teuta, në kohën kur drejtohej nga trajneri Gentian Begeja.

Ky i fundit arriti të dallonte menjëherë cilësitë dhe potencialin e madh që i kishin sjellë në skuadër, ndërsa në mënyrë urgjente ka takuar presidentin e ekipit për t’i kërkuar që Muriqi të mbetej te Teuta. Ashtu edhe ndodhi, megjithëse me largimin e Begejas, edhe hapësirat për Muriqin u zvogëluan në ekip, ku u huazua te Besa e Kavajës dhe më pas do të largohet në Turqi. “Sport Ekspres” ka kontaktuar me trajnerin e njohur Begeja, për të marrë përshtypjet e para që i ka lënë sulmuesi i Kosovës te Teuta:

Pyetja e parë dhe që lind natyrshëm, e prisje që Muriqi të mbërrinte deri në këtë nivel? Një nga sulmuesit më të mirë në Turqi, te Fenerbaçe shkon menjëherë si titullar dhe vendimtar te Kosova.

E kuptoj, unë atë djalin e kam ndjekur hap pas hapi që kur ka ikur në kampionatin turk. Atë vit që ka ardhur te Teuta, kam qenë unë trajner. E mbaj mend, ishim në fazën përgatitore të dimrit. Na e kanë sjellë në skuadër dhe përshtypja e parë që unë krijova ishte: “Çfarë gjiganti”. Numrin e këmbës e kishte “48” dhe për këtë bënim shaka shpeshherë. Kam shkuar urgjentisht te presidenti i ekipit dhe i kam thënë se e donim në skuadër. Jam befasuar atëherë nga ai lojtar dhe kështu ndodhi, e federuam pa e menduar dy herë. Pastaj unë jam larguar nga Teuta, hapësirat e Muriqit ishin të pakta dhe ka shkuar si huazim te Besa e Kavajës.

Të ka bërë menjëherë përshtypje pra afrimi i një lojtari të tillë. Por sa është zhvilluar përgjatë kësaj kohe?

Problemi i lojtarit është që të ketë dëshirën për t’u rritur. Duhet të jesh profesionist dhe ta dashurosh këtë punë që bën. Ndonjëherë është edhe çështje fati, por unë jam i bindur se Muriqi e ka arritur vetëm me punë. Ai ishte kokëulur që atëherë. Nuk  befasohem që ka mbërritur deri në këtë pikë. Nuk është shembulli i parë që del nga Superiorja, por është një shembull për t’u marrë. Pra, asgjë nuk është e paaritshme.

A ka ndonjë lojtar tjetër të Superiores që mund të kesh trajnuar dhe që mund të mbërrinte në këto nivele, por rrethana të ndryshme e kanë ndaluar?

Fati ndonjëherë vendos shumë, por nga ana tjetër, fati ndihmon më të mirin. Ka pasur lojtarë të talentuar që nuk kanë bërë karrierë, pasi duhet t’i përkushtohesh kësaj pune që bën. Nuk mund të jap shembuj konkret me emra futbollistësh të tjerë, por mund të them se ka raste padyshim që e kanë zhvilluar karrierën e tyre jashtë.

Pra duke e parë të gjithën këtë, a do të ishte Vedat Muriqi zgjidhje ideale për sulmin e Shqipërisë?

Çdo lojtar bën zgjedhjen e tij sipas dëshirës. Kemi shumë lojtarë me origjinë nga Kosova që kanë dhënë kontribut për Kombëtaren tonë. Tani normalisht që po zgjedhin përfaqësuesen e tyre. Sa i përket pyetjes suaj, me momentin që po kalon Kombëtarja nuk do të bënte ndonjë ndryshim të madh. Pra një lojtar i vetëm nuk mund të bëj dot diferencën. Te Shqipëria duhet të kemi një plan afatgjatë, duhen lojtarë të rinj dhe që e ndiejnë peshën e fanellës. Ne kemi në sulm emra si Balaj, Cikalleshin, Uzunin që po bën mirë në kohët e fundit. Por edhe njëherë e përsëris, nuk është problemi i një individi, por i gjithë grupit.

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top