You are here
Home > Futboll Bota > Arsenali nuk lejohej të shënonte, Ançeloti qesharak: Ndeshja zgjati vetëm 30 minuta!

Arsenali nuk lejohej të shënonte, Ançeloti qesharak: Ndeshja zgjati vetëm 30 minuta!

Ançeloti ka dështuar në sezonin e parë me ekipin e Napolit, duke dalë nga të gjithë objektivat e klubit. Në kampionatin italian kurrsesi që me Juventusin nuk mund të bëhej konkurrencë, por Napoli as që u përpoq për t’i zgjatur sadopak festën bardhezinjëve.

“Champions League” ishte një tjetër dështim për të vendosur duart në kokë me daljen nga grupet, ndërsa qershia mbi tortë ishte eliminimi nga çerekfinalet e “Europa League”. Arsenali arriti të fitonte edhe në transfertë me rezultatin 0-1, ndërsa përballja e parë përfundoi në shifrat 2-0 në favor të anglezëve.

Akoma edhe më qesharake, ishte intervista e Ançelotit në përfundimin e ndeshjes. “Ndeshja zgjati vetëm 30 minuta(referuar golit të Lakazete), pastaj besimi ishte i vështirë te lojtarët”. Qartësisht gjithë skema e trajnerit të Napolit, ishte që Arsenali të mos shënonte asnjë gol të vetëm në këtë ndeshje, ndërsa sulmuesit do të provonin shanset e tyre në portën kundërshtare.

Ajo që është e frikshme të imagjinohet, është se çfarë do të bënte trajneri i njohur italian nëse do të ishte në krye të Barcelonës, kur katalanasit humbisnin me rezultatin 4-0 në transfertë ndaj PSG-së në ndeshjen e parë. Sigurisht, italianët e adhurojnë shumë mbrojtjen, por në këtë rast Ançeloti ndoshta do të kishte ndenjur ta shihte ndeshjen edhe nga shtëpia.

Për ta dërguar krahasimin deri në fund, PSG-ja do të shënonte edhe një gol në transfertën e Barcelonës në “Champions League”, për t’a çuar rezultatin përkohësisht në 3-1 në përballjen e dytë, por katalanasit do të gjenin forcat e kualifikimit historik me fitoren 6-1.

Nuk është Napoli si Barcelona? Ndoshta pyetja e duhur do të ishte, çfarë kishte ende Napoli për t’u kujdesur dhe mbrojtur ndaj Arsenalit? Gjithsesi, çfarë ndodh në Itali, mbetet në Itali… /Klaudio Ndreca-Shqiperia.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top