You are here
Home > Futbolli Shqiptar > Analiza/ Çinari: Plakushit që i vjen një bekim nga qielli, këta janë djemtë e luftës së Kosovës

Analiza/ Çinari: Plakushit që i vjen një bekim nga qielli, këta janë djemtë e luftës së Kosovës

Kur UEFA propozi Nations League, në ambientin e futbollit në Shqipëri u gëzuan sepse kjo do ishte një mundësi e mirë që kombëtarja të kualifikohej për në Euro 2020. Por kuqezinjtë u eleminuan që në raundin e parë të këtij kompeticioni dhe nuk ia dolën përballë kundërshtarëve si Skocia apo Izraeli. Megjithatë ne si shqiptarë dhe tifozë duhet të jemi krenarë për këtë Nations League. Kjo jo për faktin se shkëlqyen “yjet” me origjinë shqiptare si Xhaka apo Shaqiri, por për vetë faktin se një tjetër ekip po lartëson emrin e shqiptarëve në Europë.

Kosova arriti një kualifikim historik sonte me fitoren 4-0 kundër Azerbajxhanit.  Kështu siguruan kreun e grupit 3 në Ligën D me 14 pikë në 6 ndeshje. Një ndeshje e dominuar nga fillimi në fund për të besuarit e Challandes që i gëzohen tregolësh të Arbër Zenelit. Sulmuesi i Heerenven ishte i frymëzuar sonte duke ndihmuar Kosovën të bëjë një gjysmë hapi drejt Euro 2020. Një Arbër që bën të gëzohen shqiptarët kudo ku janë. “Pokerin” historik e vendosi goli i Rrahmanit.

Por si erdhi ky kualifikim i “dardanëve” ? Pikë së pari duhet të ndalemi te një emër i veçantë. I ndjeri president i federatës së futbollit në Kosovë, Fadil Vokrri. Ish-sulmuesi i famshëm që u nda nga jeta para pak kohësh kishte vite që po punonte për të ndërtuar një sukses të tillë. Kualifikueset e Botërorit 2018 ndoshta ishin prova gjenerale për të na prezantuar këtë Kosovë befasuese. Ndoshta nga lart në qiell ka “bekuar” këtë sukses të djelmoshave të tij.

Bernard Challandes ishte për shumë kënd një emër i panjohur kur u vendos në krye të Kosovës. Por plakushi 67-vjeccar me një eksperiencë shumë të madhe në Zvicër ku kishte drejtuar në ekipe si Young Boys, Zurich , Sion e shume të tjerë arriti të gjejë ekuilibrat e një ekipi të brishtë. Zgjuarsia taktike e përzier me dëshirën për të triumfuar duket se ishin ccelësi i suksesit për zvicerianin dhe skuadrën e tij. Tashmë “plakushi” është një figurë e respektuar në futbollin kosovar.

Djemë të talentuar dhe të “etur” për fitore. Kështu mund t’i cilësojmë futbollistët e Kosovës. Shumë prej tyre të larguar nga atdheu përgjatë luftës e disa të tjerë ata që u rritën mes frikës dhe panikut. Por koha nuk do jetë gjithmonë e vrenjtur dhe dielli do shkëlqejë sërish. Një kapiten si Ujkani që jep sigurinë dhe eksperiencën e duhur. Për të vazhduar me emra si Rrahmani, Vojvoda, Kololli, Zeneli, V.Berisha, Muriqi apo edhe dyshja Rashica-Avdiaj që po tërheqin vëmendjen e klubeve më të mira në Europë. Duke mos lënë mënjëanë edhe një 19-vjeccar si Zhegrova që për të ardhmen premton shumë.

Emra të rinj, por me talent të madh që po bëjnë realitet ëndrrën e një populli të tërë. Lojë moderne me sulme nga krahët dhe me mesfushë kreative si edhe një mbrojtje relativisht të fortë.

Nuk duhen lënë pa përmendur në këtë shkrim edhe tifozët e Kosovës. Gjthmonë aty për të qenë përkrah ekipi dhe për ti  vënë “zjarrin” stadiumit. Divergjencat kanë ekzistuar pasi disa prej tyre janë “kundër” Kosovës sepse konsiderojnë vetëm Shqipërinë si kombëtaren e vërtetë të shqiptarëve. Realiteti është ky dhe tifozët e Kosovës e kanë treguar veten e tyre dhe ndoshta një “zjarr” i tillë në tribuna i ka munguar kuqezinjve në ndeshjet e fundit.

Ka disa prej atyre që edhe në një arritje të madhe mundohen të “hedhin baltë”. Disa thonë që Kosova pati grup të lehtë dhe ia doli mbanë. Po kjo mund të jetë e vërtetë, por ajo Kosovë i ka marrë hapat një e nga një e po korr frytet. Ka siguruar një kualifikim dhe një të ardhme të ndritur. Ndoshta duhet të marrim pak shembull nga vëllezërit tanë, por për këtë ka kohë dhe për momentin ti gëzohemi këtij triumfi shqiptar që na bën me të vërtetë të jemi krenarë.

(Analiza e plotë nga Endri Çinari dhënë për “Shqiperia.ch”)

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top