You are here
Home > Futboll Bota > Ajaksi një rastësi e bukur? Gaboheni! E projektuan që në 2010 këtë ditë, me bekimin e Cruyff

Ajaksi një rastësi e bukur? Gaboheni! E projektuan që në 2010 këtë ditë, me bekimin e Cruyff

Në këtë jetë, asgjë nuk mund të jetë e rastësishme. Për më tepër, sukseset që shkaktojnë zhurma të mëdha dhe marrin gjithë vëmendjen e botës mbarë.

Shumë tifozë dhe sportdashës të futbollit kanë mbetur të befasuar në këtë sezon, deri diku, nga shkëlqimi i Ajaksit. Madje është quajtur edhe si surpriza më e bukur që ka ndodhur për këtë vit. Por për një njohës më të mirë të futbollit, e sidomos atij holandez, kuptohet se asgjë në idetë e Ajaksit nuk është e rastësishme, madje një plan i mirëmenduar që mori bekimin e të madhit Cruyff.

Gazetarja e njohur, Edlira Gjoni, si një tifoze dhe mbështetëse e futbollit holandez, shpjegon më në detaje gjithçka sa i përket përallës së bukur që quhet: “Ajax”.

“Në 2010, i zoti i punës, Johan Cruyff, nisi një projekt që ia vuri emrin “Revolucioni rikthyes”, dhe zgjodhi vetë disa çuna 10 vjeçarë nga akademia e fëmijëve dhe i futi në stadiumin që sot mban emrin e tij. E dini si i kishin emrat këta fëmijë, që Cruyff i zgjodhi vetë, u ndërtoi kurikulumin stërvitor dhe ishte në fushë deri sa ndërroi jetë, që të sigurohej që Ajaxi të vizitonte edhe një herë vlerat e tij unike në futboll?

Këta çuna kalamaj quheshin: Mitchel Bakker, Matthijs de Ligt, Perr Schuurs, Jurgen Ekkelenkamp, Ryan Gravenberch. I futi në stadiumin e madh (atëherë quhej Arena), së bashku me disa cunakë të tjerë nga 2 apo 3 vjet më të mëdhenj, që ishin: Donny van de Beek, Noa Lang, Frenkie de Jong dhe Carel Eiting. Kush janë këta? Janë “fëmijët” që mbrëmë eliminuan Juventusin!

Kur Cruyff i vuri të gjithë bashkë në Tetor 2010 të stërviteshin sipas mënyrave të Ajaxit, Juventus bënte luftëra të tjera. Ajax rriti tulipanët e tij dhe fëmijët 10 vjeçarë të 2010-ës, eliminojnë sot emrat e rinj e të vjetër sepse nuk kanë dalë nga hiçi, por nga një akademi që furnizon çdo skuadër me një tulipan të përjetshëm çdo brez. Sot, me një kapiten skuadre që është vetëm 19 vjecar, Ajaxi me buxhetin sa 1/6 e Juventusit apo Real Madridit, tregoi se futbollin nuk e bëjnë emrat e mëdhenj por ekipet e mirë orkestruara.

Saktësi, lirshmëri, taktikë, të prerë në kombinime, therës së kundërsulm, të shpejtë, të papërballur me frikën, të gatshëm të luajnë për qejfin e tyre, njëlloj si 9 vite më parë kur i morën për dore e i futën në Arenën e Amsterdamit, këta djem i dhanë botës së futbollit një surprizë spektakolare. Aq të bukur për syrin, saqë me shumë dinjitet, mijëra tifozë juventinë ndenjën ta përshëndesin ekipin e çunakëve holandezë në fund të ndeshjes. Cruyff nuk e kishte gabim! Se mos gaboi ndonjëherë uniku ai”!. /Shqiperia.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top