
“Guri i rëndë, peshon gjithmonë vetëm në vendin e tij”. Kjo është një shprehje aq shumë e dëgjuar në vendin tonë, e që gjithmonë duhet marrë parasysh.
Sidomos në botën e sportit, atje ku shumë futbollistë që janë të lidhur me vendlindjen e tyre, Shqipërinë, zgjedhin një tjetër Kombëtare vetëm për emrin e saj dhe jehonën më të madhe që ka në arenat europiane. Por zgjedhje të tilla mund të përfundojnë edhe në një “mallkim”, si në rastin e Shani Tarashajt.
Vetëm 1 minutë, kaq e ka aktivizuar Zvicra futbollistin shqiptar në një ndeshje zyrtare, atë ndaj Rumanisë në Europianin e Francës. Që prej asaj ndeshje, Tarashaj ka pasur të bllokuar mundësinë për t’iu bashkuar një përfaqësuese tjetër. Tashmë ky lojtar nuk bën më pjesë në planet e helvetëve, ndërsa edhe karriera në klub nuk po i shkon në mënyrën më të mirë të mundshme.
Evertoni që e mori fillimisht, e ka huazuar me Grashopërs në Zvicër, atje ku futbollisti më shumë ka qenë në tribunë edhe për shkak të dëmtimit, sesa si protagonist në fushë. /Shqiperia.ch/