
Në kohën kur Ardian Ismajli luante për Kosovën U-21, të gjithë ishin të bindur se një mbrojtës me aftësi të mira gjendej tek dardanët e vegjël. Gjithsesi, për të përmbushur të gjitha pritshmëritë e për t’i tejkaluar ato, shërbyen dy ndeshjet ndaj Gjermanisë.
Kosova do të ndeshej ndaj këtyre të fundit në dy takime, teksa të parin do e humbte me rezultatin 1-0 në transfertë, ndërsa në të dytin Shpresat e Prekazit do të merrnin një barazim pa gola që ishte historik. Por kush ishte më i miri në këto dy takime? Padyshim që mbrojtësi i Hajdukut, fatmirësisht pjesë e Shqipërisë aktuale, Ardian Ismajli.
Nëse shihni pamjet e postuara më poshtë, ky lojtar të ngjall paksa kujtimet e Lorik Canës. Sparkata është ndërhyrja e tij e preferuar, por jo më kot. Gjithmonë i saktë dhe i gatshëm për të hequr mundësinë e artë të golit, Ismajli është një luftëtar në fushën e lojës. Kombëtares tonë i duhen lojtarë të tillë për të arritur sërish në Europian, ndërsa tifozët shqiptarë nëse duhet të kenë një lutje të vetme, është: “Të paktën, të mos na dëmtohet Ismajli”. /Shqiperia.ch/