Shqipëria do të ketë dy takime të rëndësishme në muajin nëntor, teksa fillimisht do të luajë ndaj Skocisë, për të kaluar te ajo miqësore ndaj Uellsit.
Stërvitja e Kombëtares ka nisur nga dita e djeshme, ndërsa tashmë ishte momenti që të dilnin në konferencë dy prej lojtarëve të saj. Fillimisht ishte radha e Veselit , që të fliste për Shqipërinë dhe takimet që na presin pas pak ditësh.
“E kam kohën që të rikuperohem dhe të jem gati për Kombëtaren. Me dëmtimin jam mirë tashmë, megjithëse kemi shumë mungesa. Kemi pësuar disa gola të evitueshëm, disa gabime kemi bërë së fundmi dhe duhet t’i përmirësojmë. Unë kam luajtur disa herë në krahun e djathtë, nuk e kam problem të luajë edhe këtë herë. Grezda ka bërë dopietë këtë herë, Gjimshiti ka shënuar, Binjaku ka luajtur mirë, Mavraj po aktivizohet me Kombëtaren, pra jemi në një moment pozitiv dhe mund të marrim fitore në këto dy takime.
Ne jemi shumë të afërt me njëri-tjetrin, futbollistët janë miq të ngushtë pikësëpari. Do të provojmë për të pasur një mundësi sa më të mirë, për kualifikueset e Europianit. E kemi një dëshirë të madhe për të qenë sërish aty, ndërsa kemi lojtarë me kualitet”, u shpreh Veseli. /Shqiperia.ch/