Karlos Soler është një prej futbollistëve më premtues në Spanjë, teksa aktualisht luan me ekipin e Valencias. Mesfushori premtues do të jetë duke filluar nga minuta e parë titullar ndaj Shpresave tona në ditën e sotme, në takimin që do të zhvillohet rreth orës 20:00.
Në një intervistë për mediat spanjolle, Karlos Soler i ka kërkuar mediave dhe ambientit në Spanjë që mos të marrin lehtë takimin me Shqipërinë, pasi do të luajnë përballë një ekipi kompakt dhe që do jap gjithçka për t’ia komplikuar punën kundërshtarit.
“Shqipëria ka një grup shumë të bashkuar. Ata do të përpiqen të bëjnë gjëra të mira për të na e komplikuar punën tonë. Duhet t’i marrim me patjetër ato 3 pikë. Këto ndeshje po shkojnë drejt përfundimit dhe ne kemi gjithë qetësinë e duhur për t’I mbyllur me sukses”, ka thënë Soler para ndeshjes ndaj futbollistëve që drejtohen nga Alban Bushi. /Shqipëria.ch/