
Shumë kampionateve të ndryshme po i vjen fundi për këtë sezon futbollistik, ku tashmë janë përcaktuar fatet e këtij viti të disa skuadrave. Ato që dolën kampion, ata që do të shkojnë në kompeticionet europiane, por edhe klubet që do të luajnë në kategori më inferiore vitin e ardhshëm. Ndër këto të fundit është edhe skuadra e Akhisarspori, e cila militonte në kampionatin turk.
Me këtë klub aktivizohej edhe lojtari i Kombëtares tonë, Sokol Cikalleshi, i cili nuk mundi dot të kontribonte që ekipi i tij të qëndronte në elitën e futbollit turk. Akhisarspori e përfundoi kampionatin në vendin e fundit, teksa automatikisht sezonin e ardhshëm do të luajë në kategorinë e dytë. Ky fakt ka lënë një shije të hidhur tek drejtuesit e këtij klubi, të cilët kanë vendosur që të largojnë shumë prej lojtarëve që ishin pjesë e tyre. Thuajse më shumë se gjysma e futbollistëve është me “valixhe në dorë”, ku ndër ta nuk mund të përjashtohet edhe sulmuesi shqiptar Cikalleshi. Mesa duket kjo mund të jetë aventura e tij e fundit në kampionatin turk, ku prej disa vitesh sulmuesi kuqezi, kontribonte në këtë ligë duke arritur të zhvillojë edhe disa ndeshje të pozitive.
Nga ky largim, Cikalleshi nuk mundi dot të rigjente edhe një herë tjetër formën e tij optimale, gjë kjo që mund të ketë ndikuar edhe negativisht në gjendjen psikologjike të lojtarit, i cili pritet të largohet në merkaton e verës nga klubi turk. Tashmë duhet të presim edhe hapjen zyrtare të transferimeve të lojtarëve, për të parë zhvillimet dhe njëkohësisht ekipin e ri ku mund të luajë sulmuesi shqiptar Sokol Cikalleshi. /Shqiperia.ch/