Një largim prej rreth 2 muajsh i Edon Zhegrovës nga ekipi i Genk, që habiti jo pak, jo vetëm ambientin e klubit belg, por edhe atë shqiptar. Kjo pasi futbollisti nuk kishte asnjë dëmtim dhe ishte në të njëjtën gjendje si kohë më parë, ndërsa edhe hipoteza e një leksioni të mundshëm nga trajneri, kishte dyshimet e saj.
Por mesa duket kjo ishte arsyeja e vetme, që Klement la jashtë grumbullimit me ekipin Zhegrovës, për t’i dhënë një leksion të pastër. Tani është vetë trajneri i Genk që sqaron gjithë situatën në Belgjikë, duke u shprehur se futbollisti shqiptar nuk po e kuptonte sesa po e tepronte me egoizmin e tij në fushën e lojës, e nëse vazhdon në atë mënyrë, atëherë do të përfundojë jashtë fushe.
“Si një futbollist 19-vjeçar që është, ai ka shumë hapa për të marrë. Edoni nuk e ka parë vetë problemin që ka, prandaj ne duhej të ishim më të zhurmshëm në vendimin tonë.
Ai duhet të mendojë më shumë për ekipin, në momentin që merr topin në këmbë. Nëse vazhdon të punojë shumë, atëherë nuk kam asnjë problem, për t’ia shpërblyer mundin. Por nëse ai nuk punon mjaftueshëm dhe vendos karrierën e tij në plan të parë për t’u dukur në fushën e lojës, atëherë mundësitë që do i jap, do të jenë të pakta”, u shpreh Klement. /Shqiperia.ch/