
Një debutim krejtësisht për t’u harruar ishte ai nga Arijanet Muriqi me Notingham Forestin. Kjo skuadër humbi me rezultatin 1-2 ndaj WBA-së, ndërsa në të dy golat kishte aq shumë për t’u përmirësuar nga gardiani shqiptar.
Tifozët janë surprizuar në mënyrë negative me atë që ndodhi, pasi prisnin një tjetër panoramë nga huazimi i Manchester City. Madje edhe vetë trajneri i Notingham Forestit, Lamouchi, e ka harruar gjithë pjesën tjetër të takimit duke dhënë shpjegime vetëm për lojtarin e Kosovës.
“Duhet të bëhet i zgjuar dhe të jetë i përqendruar te ndeshja. Ti duhet të përshtatesh me rivalin dhe të jesh në pozicionin e duhur për topin. Por mos harroni që është vetëm 20-vjeçar. Ai do të bëj sërish gabime.
Por kur portieri bën gabime, atëherë shkon topi në rrjetë. Kur gabon sulmuesi, mesfushori, është paksa më ndryshe. Por më besoni, ka për të na ndihmuar shumë Muriqi këtë sezon. Ka pasur edhe disa kundërpërgjigje të mira në pjesën e dytë. Vërtet shumë që të japësh dy gola në shtëpi.
Aro ka vërtet shumë kualitete, por ndonjëherë këto nuk mjaftojnë. Duhet të punosh shumë”, ka thënë Lamouchi. /Shqiperia.ch/