
Krishtlindjet dhe viti i ri do të festoheshin me disa sekonda lojë për Meritan Shabanin. Mesfushori i talentuar zbrit herën e fundit në fushë me fanellën e parë të Bayern, mbrëmjen e 22 dhjetorit të vitit që lamë pas. Trajneri Kovaç siguroi fitoren 0-3 ndaj Frankfurti në në minutën e 89′, ndërsa një minutë më vonë do të bënte të tre zëvendësime që kishte në dispozicion.
Vetëm pak sekonda lojë për Shabanin, po aq sa edhe në Kupë në fund të tetorit. Megjithatë edhe minutat e pakëta të 19-vjeçarit e kanë anën e tyre pozitive, Shabani po thirret në ekipin e parë. Në një skuadër si ajo e Bayern, çdo lojtar i grupmoshave do e kishte mjaft të vështirë të merrte ftesë nga trajneri qoftë edhe për stërvitje. Ndryshe ndodh me Meritanin, më herët thirrej nga Ancheloti, e tani nga Kovac, për më tepër duke e lejuar të përjetoi magjinë e stadiumit të tejmbushur.
Zyrtarisht jemi në sezon pushimesh, teksa merkato është çelur, ekipet shfrytëzojnë kohën për t’u përgatitur për fazën pranverore. Ekipi i Bayern është nisur për në Doha të Katarit. Trajneri kroat i ka menduar t’i zhvilloj aty stërvitjet e fazës përgatitore dimërore. Veç ekipit të parë, në avion ka vend edhe për dy bileta.
Njëra për Wooyeong, ndërsa tjetra për Meritan Shabanin. Në një kohë kur huazimi i lojtarit nga Kosova po përflitej tepër, trajneri Kovaç mohoi zërat duke marrë me vete mesfushorin. Një gjë mbetet e sigurtë, Shabani vijon të jetë në planet e bavarezëve, teksa këta të fundit nuk kanë ndërmend të lëshojnë talente të tilla. Edhe në fazën e Champions League, mesfushori u thirr nga trajneri ndaj AEK-ut dhe Benfikës, ndonëse nuk pati minuta në dispozicion. Si duket Bayern ka gjetur metodën më të mirë duke mbajtur sa më afër lojtarët e rinjë si Shabani për t’i bërë gati në betejat e vërteta./Shqiperia.ch/