
Shqipëria U-21 e ka mësuar shortin për kualifikueset e Europianit, teksa ironike është fakti që për herë të parë do të ketë një përballje ndaj Kosovës U-21. Goglat nuk patën mëshirë gjatë përzgjedhjes, megjithëse një ndeshje e tillë herët a vonë do të vinte, pasi dardanët janë një realitet i ri.
Në një intervistë ekskluzive për “Shqiperia.ch”, trajneri i Shpresave të kuqezinjve, Alban Bushi ka folur për gjithçka. Gjithashtu është konfirmuar edhe lajmi ekskluziv i para pak kohëve nga “Shqiperia.ch”, ku është pasqyruar takimi që vetë trajneri i kuqezinjve pati me Bastien Tomën, që konsiderohet një nga talentet më të mëdha në Zvicër te Sioni.
Te Shqipëria ndërrohen të gjithë trajnerët e grupmoshave kombëtare, por arrin t’i rezistosh ndryshime. Çfarë do të thotë për Bushin një besim i tillë dhe sa përgjegjësi ndien për ta shpërblyer atë në mënyrën më të mirë?
Dua të falenderoj drejtuesit e institucionit për besimin e dhënë që të drejtoj për edicionin e dytë Kombëtaren. Ndihem mirë dhe është një emocion shumë i veçantë të drejtosh Kombëtare U-21. Patjetër që përgjegjësia është shumë e madhe, por unë gjithmonë mundohem të jap më të mirën dhe jam shumë i përqendruar te puna që bëj.
Aktualisht drejton Shpresat e Shqipërisë. Duke parë gjithë lojtarët që janë aktualisht si pjesë e të vegjëlve dhe të tjerë që je duke i vëzhguar, sa larg mund të ëndërrojnë tifozët shqiptarë me Kombëtaren e tyre?
Ne jemi një vend i vogël dhe duhet të punojmë shumë. Duhet të kemi gjithmonë fatin me vete dhe nuk duhet të nënvletësojmë detajet, më pas duhet të ëndërrojmë. Kemi bërë mirë me Kombëtaren A, Europiani ishte diçka shumë e madhe për një vend i vogël si ne. Po punohet shumë për gjetjen dhe zhvillimin e talenteve që ne kemi në vëzhgim. Duhet durim dhe kohë që moshat të kenë sukses siç dhe pati ekipi A.
Në ditët e fundit, mediat greke i kanë bërë jehonë të madhe historisë se sulmuesi Bullari do i bashkohet Shqipërisë U-21. Sa të vërtetë ka në të gjithë këtë dhe sa e vështirë ishte bindja e lojtarit në fjalë?
Bullari është një lojtar i talentuar dhe është shqiptar. Nëse vazhdon në këtë rrugë do të jetë një sulmues që do ta ndihmoj kombëtaren shqiptare për shumë vite.
Shumë talente të parë më nga afër, në Zvicër dhe Greqi. Një element(talent) që të ka bërë përshtypje, por nuk është shumë i dëgjuar shumë në media?
Sapo mbaruam seleksionimet në Itali, Greqi dhe Shqipëri. Nuk dua të veçoj asnjë, por dua të them me plot bindjen se ka shumë, sidomos datëlindja 2004-2005-2006 që do jetë besoj brezi më i artë i Shqiperisë.
Shqipëria nuk ndodhet në pozitat më të mira, janë të shumta refuzimet e lojtarëve për të qenë pjesë e Shqipërisë U-21?
Secili bën zgjedhjet e tij personale dhe duhen respektuar. Na vjen mirë për ata lojtarë që e zgjedhin Shqipërinë me zemër.
Ke takuar më nga afër edhe futbollistin premtues në Zvicër, Bastien Tomën. Nga kontakti që pate më të, si janë shpresat që ky lojtar të zgjedh Shqipërinë?
Patjetër që Bastiani është një talent. E pamë edhe nga afër dhe folëm me të e babain e tij. Na thanë që do mendohet dhe do na njoftoj. Shpresoj të zgjedhi Shqipërinë.
Më parë u duk e sigurt se Shabani do të zgjidhte kuqezinjtë, por shumë zhvillime të reja duket se e ndryshuan historinë. Si qendron e vërteta në këtë rast?
Është e njëjta gjë që thashë më lart. Nëse kemi të bëjmë me një talent futen shumë shtete në lojë dhe lojtari ose familja tij tundohet me të drejtë. Por gjithsesi unë jam i mendimit që duhet të dëgjosh zemren.
Shorti na bie ndaj Kosovës në kualifikueset e Europianit. Çfarë do të thotë për lojtarët një ndeshje e tillë dhe a do të ketë një trajtim të veçantë nga takimet e tjera?
Absolutisht që jo. Me Kosovën do të jetë një ndeshje si gjithë të tjerat që duhet fituar. Ne kemi ambiciet tona në këtë edicion. Edhe me vllain kur luan tek lagja, dua që të fitoj..edhe ai do të fitoj. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/